Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar Ditën e Bashkimit të Gjermanisë, e cila shënohet më 3 tetor, duke kujtuar historinë e ribashkimit të vendit pas më shumë se katër dekadash ndarje.
Kurti ka theksuar se 3 tetori i vitit 1990 shënon ribashkimin formal të Gjermanisë, pas bashkimit të Republikës Demokratike të Gjermanisë me Republikën Federale të Gjermanisë.
Në urimin e tij, ai ka përmendur edhe rënien e Murit të Berlinit më 9 nëntor 1989, duke e cilësuar atë si një ngjarje që shënoi fundin simbolik të ndarjes së Berlinit dhe një pikë kthese në historinë evropiane.
Sipas Kurtit, ribashkimi i Gjermanisë ishte një kapitull i rëndësishëm në historinë moderne politike të Evropës dhe një shembull i fuqisë së bashkimit politik dhe kombëtar për ndërtimin e paqes dhe prosperitetit.
“Sepse politika pa historinë është e verbër, ndërsa aspiratat politike pa kujtesë të kthjelltë dhe vetëdije të lartë nuk mund të drejtohen në kahjet dhe shpejtësitë e duhura për jetësimin e vullneteve politike”, ka shkruar Kurti.






