9.8 C
New York
Thursday, November 28, 2024

Buy now

Deliu-Kodra dhe Gruda: Korrupsioni në Qeverinë Kurti – kryefjala e raportit të DASH-it për Kosovën

- Advertisement -

Partia Demokratike e Kosovës vlerëson se raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit për Kosovën shpërfaqë paaftësinë dhe dështimin e skajshëm të Qeverisë Kurti në të gjitha fushat.

 

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, në një konferencë për media, tha se të gjeturat e këtij raporti faktojnë sesi tash e katër vjet Kosova udhëhiqet nga një Qeveri e korruptuar, e paaftë, nepotiste dhe abuzuese e kërcënuese ndaj lirisë së shprehjes dhe asaj të medias.

 

“Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për Kosovën, i cili, edhe këtë herë, sikur vitin e kaluar, është tejet i zymtë, tregon më shumë sesa realitetin tonë në Kosovë. Ky raport, që padyshim është kredibil dhe mirë i analizuar, shpërfaqë dështimin e skajshëm të kësaj Qeverie në të gjitha fushat, më të rëndësishmet në udhëheqjen e shtetit”, shtoi ajo.

 

Deliu-Kodra ngriti shqetësimin për konstatimin e raportit të DASH për korrupsion serioz qeveritar, pjesë e të cilit janë edhe pesë ministra e dy zëvendësministra nën hetime për vepra penale të cilët ndërlidhen me korrupsionin.

 

“Kemi edhe dy vendimet të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të cilat kanë shpallur fajtore ministren e MINT, Rozeta Hajdari dhe zëvendësministren e MPJD, Liza Gashi për mosdeklarim të pasurisë. Rastet eklatante të kësaj Qeverie dhe eksponentëve të tyre gjatë këtij mandati që ndërlidhen me korrupsionin masiv qeveritar, janë tejet të shumta. Aferat e ambasadorit Martin Berishaj, Nagip Krasniqit të KEK-ut,  Faruk Mujkës, Ridvan Muharremit dhe Ministres Hajdari lidhur me rezervat shtetërore, kontratat njëburimore që tejkalojnë 200 milionë euro, deri te raportimet e fundit të mediave për faljen e miliona borxheve të kompanive nga Ministri Liburn Aliu, vetëm sa forcojnë edhe më shumë këto konstatime të DASH-it. Fatkeqësisht, siç e keni parë, Vetëvendosja në vazhdimësi ka refuzuar kërkesat tona për themelimin e komisioneve hetimore parlamentare duke shtuar dyshimet tona të bazuara se sa thellë ishin zhytur në këto skandale”, theksoi ajo.

 

Deliu-Kodra potencoi se viteve të fundit Kosova ka pësuar rënie në ranglistën për lirinë e medias si pasojë e presionit nga zyrtarë të Qeverisë Kurti, të cilët përveç kërcënimeve e fushatave shpifëse ndaj gazetarëve, kanë ndërmarrë edhe veprime konkrete për të mbyllur një medium nacional.

 

“Kjo pasqyrë nuk i shërben të ardhmes së Kosovës dhe integrimit të saj euro-atlantik. Përkundrazi, Qeveria, përmes veprimeve të saj ka përkeqësuar edhe mirëqenien e qytetarëve edhe imazhin e vendit në botë. Për këto arsye dhe jo vetëm, Kosova tashmë gjendet edhe nën sanksione ndërkombëtare me qindra-miliona euro të bllokuara. Kjo nuk është Kosova për të  cilën është punuar me vite”, tha Deliu-Kodra.

 

Ndërkaq, anëtari i Kryesisë së PDK-së, Përparim Gruda tha se në Raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit, përshkruhet me saktësi dobësimi i përgjithshëm i nivelit të sundimit të ligjit dhe në veçanti ndërhyrjet e qeverisë në sistemin e drejtësisë.

 

“Disa herë në këtë raport gjendet fjalia “ndërhyrjet politike në drejtësi”. Kjo tregon qartë për përpjekjet e vazhdueshme të kësaj qeverie për të mbrojtur njerëzit e saj të korruptuar përmes ndërhyrjeve në organet e sistemit të drejtësisë. Një gjë kjo të cilën ne si PDK e kemi thënë vazhdimisht, sot ajo është konfirmuar edhe nga raporti i DASH-it. Ndërkohë, nuk është bërë asgjë për të realizuar reformat e premtuar në sistemin e drejtësisë, nuk ka filluar ende procesi i vettingut dhe kanë vazhduar shkeljet e Kushtetutës”, theksoi ai.

 

Gruda vuri në pah edhe problemet e shumta që ka Kosova me dhunën kundër grave dhe dhunën në familje, të cilat përmenden në raportin e DASH-it.

 

“Sërish vihet theksi tek dështimet e qeverisë se Kosovës për të zbatuar ligjin në mënyrë efektive. Kjo nënkupton, edhe dështimi për të ndërmarrë masat e nevojshme për të luftuar dhe parandaluar dhunën dhe vrasjen ndaj grave. Po ashtu, kanë munguar edhe programet e integrimit për të mbijetuarit e dhunës me bazë gjinore. Nuk mund të mos përmend këtu se pasi një grua u vra dhe u shpall ditë zie, Ministrja e Drejtësisë gjeti kohë të shkoi në fushatë për tu përzier në zgjedhje në Maqedoni të Veriut. Sikur kjo të mos mjaftonte, ajo vazhdoi ekskursionin e saj politik edhe nëpër shtetet tjera të Evropës, Gjermani e Suedi. Kjo tregon mjaftueshëm për seriozitetin e kësaj qeverie për të trajtuar problemin e vrasjes së grave në Kosovë”, tha ai.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit