Martin Berishaj, diplomati i vetëm që ka fotografi nëpër banesa private me kryeministrin Albin Kurti, vazhdon të qëndrojë në pozitën e ambasadorit në Kroaci pavarësisht skandalit të madh financiar me kompaninë GEN.
Kjo e fundit përgjatë viteve 2015-2022 ka derdhur mbi 1 milion euro në xhirollogarinë e MB Consulting, biznes ky në pronësi të diplomatit kosovar, i regjistruar në Mal të Zi.
Gazeta Insajderi ka arritur të sigurojë komplet transaksionet bankare të firmës së dyshimtë të Martin Berishajt, dhe ka zbuluar se saktësisht 1 milion e 470 mijë e 707 euro janë transferuar në llogarinë e MB Consulting nga kompania energjetike GEN.
Ndonëse kompania e Berishajt në Mal të Zi daton se është regjistruar më 12 dhjetor 2016, paratë e para nga GEN-i me degë në Serbi i ka marrë më 10 shkurt 2015, shumë kjo prej 66 mijë e 528 euro.
Kjo shifër i bashkohet asaj prej 395 mijë e 805 eurove të marrë nga biznesi i Berishajt vetëm përgjatë vitit 2015.i.
Më 2016 të hyrat e Berishajt nga GEN duket se kanë rënë pak, gjatë atij viti ai ka arkëtuar 262 mijë e 302 euro, sipas dokumenteve që posedon Gazeta Insajderi.
Një vit më vonë, më 2017 nuk ekziston asnjë transaksion i bërë nga “GEN” drejt llogarisë së MB Consulting, gjersa më 2018, 2019 dhe 2020, të hyrat kanë qenë më të ulëta ndër vite, përkatësisht 55 mijë e 440 euro, 67 mijë e 879 euro dhe 95 mijë e 947 euro.
Të hyrat e Berishajt arrin kulmin në vitin 2021. “GEN” me degë në Serbi gjatë atij viti ka transferuar saktësisht 473 mijë e 889 euro, zbulon Gazeta Insajderi.
Një vit më vonë më 2021, janë transferuar edhe 119 mijë e 445 euro të tjera.
2015-2022, kaq para tërhoqi kesh Martin Berishaj nga xhirollogaria e MB Consulting
862 mijë e 264 euro ka tërhequr Martin Berishaj nga xhirollogaria e kompanisë së tij, MB Consulting, e regjistruar në Mal të Zi, zbulon Gazeta Insajderi. Tërheqja e parave kesh pa përshkruara arsyetim zyrtar është e pazakonte në afarizëm.
Sipas dokumenteve që posedon Gazeta Insajderi, ai këto para i ka nxjerr përgjatë viteve 2015-2022, siç shkruan për “nevojë të biznesit”. Nuk ka përshkrim më të detajuar se sa ky shënim sipërfaqësor.
Për çështjen e fundit ai më 2015 ka marrë 280 mijë euro, më 2016 edhe 234 mijë e 200 euro të tjera, derisa më 2017 nuk figuron asnjë tërheqje.
Tërheqjen ai e vazhdon në vitin 2018 dhe 2019, duke marrë 43 mijë euro përkatësisht 36 mijë euro.
244 mijë euro e 528 euro ai i ka marrë për “nevoja të biznesit” me 2021, derisa më 2022 i ka marrë edhe 60 mijë euro të tjera.
Berishaj u kishte thënë autoriteteve tatimore në Mal të Zi që arsyeja përse i ka tërhequr paratë kesh kishte të bënte me një marrëveshje që ai e kishte me kompaninë e tij.
Në vitin 2018, Martin Berishaj do të bëhej edhe zyrtarisht anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje të drejtuar nga Albin Kurti.
Në shkurt të vitit 2021, ai ishte emëruar ambasador i Kosovës në Kroaci, pozitë kjo në të cilën vazhdon të jetë pavarësisht skandalit financiar.
Ai madje pati thënë se qëllimi i raportimit në mediat sllovene që ai “mori 600 mijë euro nga kompania GEN”, ka qenë e lidhur me zgjedhjet në Slloveni.
Në nëntor të vitit të kaluar, këto raportime i pati quajtur “shpifje”.
“Tani këtu quhet aferë, mirëpo shumë media ndërkombëtare ka qenë një artikull i një portali që e ka peshën e vet. Unë jam marrë me problemin që ishte një ditë para zgjedhjeve në Sllovenisë”, pati deklaruar Berisha.
Gjatë raportimit në Komisionin Hetimor për Energjinë në Kuvendin e Kosovës, Berishaj ka thënë se autori i tekstit e ka pasur mbiemrin Petrokoviq, duke hedhur dyshime në qëllimin e atij raportimi.
“Liria e shprehjes nuk nënkupton shpifjen”, thotë Berishaj. Ai më pas tha se “pas zgjedhjeve në Slloveni askush nuk është marrë me të”.