Futbollisti i Kombëtares së Shqipërisë, Mirlind Daku, ka pranuar se idhulli i tij është legjenda bullgare, Dimitar Berbatov. Futbollisti 27-vjeçar që luan për Rubin Kazanin e Rusisë, u takua me Berbatovin gjatë kampit dimëror në Turqi.
Daku pranon se ish-sulmuesi i Bullgarisë, nuk e ka njohur. Por ai pret që ish-sulmuesi i Bayer Leverkusenit, Tottenhamit, Manchester Unitedit, Fulhamit, Monacos, ta njoh në të ardhmen.
“Po, ndoshta ai nuk më njeh. Berbatov ndoshta shikon shumë futboll dhe studion shumë lojtarë. Duhet të jetë e vështirë për të që t’i kujtojë të gjithë. Shpresoj se pas këtij takimi ai tashmë do të më njoh. Ishte shumë bukur të bisedoja me të, veçanërisht pasi jam një tifoz i Manchester Unitedit. Ndeshjet e tyre i kam ndjekur qysh në fëmijëri dhe i kam ndjekur paraqitjet e Berbatovit. Prandaj ishte një kënaqësi e vërtetë ta takoja personalisht”, ka thënë Daku për “Match Premier”.
Daku me Rubin Kazanin janë duke i zhvilluar përgatitjet në Turqi. Në 17 ndeshjet e edicionit aktual të elitës së futbollit rus, Daku ka shënuar nëntë gola dhe ka kontribuar me pesë asistime.