Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka kujtuar heroin Zahir Pajaziti në 64-vjetorin e lindjes së tij, duke thënë se shtatorja e tij në Prishtinë vazhdon t’i japë frymëzim dhe shpresë.
Në një postim në Facebook, Çitaku ka vlerësuar qëndrimin e Pajazitit, duke e cilësuar atë si simbol të guximit dhe vendosmërisë për të punuar për vendin.
Ajo ka theksuar se, edhe pse vitet kalojnë, Zahiri mbetet i ri në kujtesën e kombit.
“Sa herë e shoh shtatoren e Zahir Pajazitit, më frymëzon ai hap përpara. Ka diçka të vendosur e plot jetë në atë qëndrim, sikur gjithmonë ka një rrugë për të vazhduar e një punë të mirë për të bërë për vendin. Më jep shpresë ai qëndrim prej sypatremburi. Andaj, vitet kalojnë, por Zahiri mbetet përherë i ri në kujtesën tonë e të kombit. Një ndër pushkët e para të lirisë, që vazhdon të na japë zemër edhe nga përjetësia. Sepse heronjtë nuk vdesin kurrë. Ata kanë vetëm ditëlindje. Urime 64-vjetorin e lindjes, trimi ynë!”, ka shkruar Çitaku






