Malisheva ka bërë një hap prapa në garën për titullin kampion në Albi Mall Superligën e Kosovës, pasi ka barazuar pa gola (0-0) ndaj Feronikelit 74, në kuadër të xhiros së 12-të. Vendasit shpërdoruan një penallti në pjesën e parë dhe disa mundësi të mira për shënim, ndërsa mysafirët siguruan një pikë të vlefshme në luftën për mbijetesë.
Malisheva nuk ka arritur ta shfrytëzojë përparësinë e fushës vendase për të regjistruar një tjetër fitore në kampionat, duke u ndalur në barazim nga Feronikeli 74.
Skuadra vendase ishte më kërkuese gjatë pjesës së parë, duke ushtruar presion të vazhdueshëm në drejtim të portës kundërshtare.
Rasti i parë serioz erdhi në minutën e 10-të, kur Malisheva arriti ta dërgonte topin në rrjetë, por goli u anulua për shkak të pozitës jashtë loje.
Mundësia më e mirë për të kaluar në epërsi iu dha vendasve në minutën e 36-të, kur gjyqtari akordoi penallti në favor të Malishevës.
Përgjegjësinë për ekzekutimin e mori Ibishi, por goditja e tij ishte e dobët dhe u ndal nga portieri i Feronikelit 74, duke e lënë rezultatin të pandryshuar.
Në pjesën e dytë, mysafirët u paraqitën më të guximshëm dhe krijuan disa mundësi për shënim, por nuk arritën t’i konkretizonin rastet e tyre.
Malisheva pati një mundësi të artë për ta fituar takimin në minutën e parë të kohës shtesë, kur Kola tentoi me kokë, por portieri kundërshtar intervenoi me sukses.
Pavarësisht përpjekjeve të të dyja skuadrave, rezultati mbeti 0-0 deri në përfundim të ndeshjes.
Malisheva mbetet lidere, Prishtina ka mundësi ta marrë kreun
Pas këtij barazimi, Malisheva vazhdon të kryesojë renditjen e Albi Mall Superligës me 27 pikë pas 12 xhirove, vetëm një më shumë se Prishtina.
Megjithatë, bardhekaltrit kanë mundësi ta marrin kreun e tabelës nëse arrijnë rezultat pozitiv në ndeshjen e mbetur ndaj Dritës, e cila pritet të zhvillohet në mesjavë.
Drita aktualisht renditet e treta me 23 pikë, ndërsa përballja me Prishtinën ishte shtyrë për shkak të angazhimeve të gjilanasve në fazën kualifikuese të Ligës së Konferencës në fillim të sezonit.
Në anën tjetër, Feronikeli 74 ka siguruar një pikë të rëndësishme në garën për mbijetesë.
Me këtë barazim, skuadra nga Drenasi ka arritur në kuotën e 12 pikëve pas 12 ndeshjeve, duke u ngjitur në pozitën e shtatë dhe duke dalë nga zona e rënies.






