“Për ju është rutinë, për mua është jetë…”, Ish-Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se kjo fjali, e shkruar nga Arlinda Zekaj, në kërkim të ndihmës, “është një aktakuzë e rëndë ndaj një sistemi që kishte detyrimin ta mbronte, por nuk arriti ta dëgjonte në kohë”.
Një grua e një nënë, thekson ajo, nuk duhet të ketë nevojë të lutet për të drejtën për të jetuar. “Nuk duhet të ketë nevojë të përgjërohet që fëmijët e saj të jenë të sigurt”.
Dhe mbi të gjitha, ajo thotë se “nuk duhet të ketë frikë se institucionet do të vonohen deri atëherë kur të jetë tepër vonë”.
Tepër vonë, Osmani thekson se është edhe sistemi gjyqësor, “i cili deri tani ka ndërmarrë ZERO masa ndaj gjyqtarëve që treguan neglizhencë”.
Këtë të diel është publikuar edhe një letër e Arlinda Zekajt, e cila i ishte drejtuar gjyqtarit Migjen Kastrati, ku i lutej, ndër të tjera, që t’ia caktojë urdhrin mbrojtës, pasi që tregonte se po e ndjente rrezikun për jetën e vetë.
Arlinda Zekaj u vra nga kunati i saj me sëpatë, më 25 tetor. Ajo kishte kërkuar mbrojtje nga shteti, por shteti dështoi që ta mbrojë.






