UD e kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar në gjashtëvjetorin e shkuarjes në Hagë të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Përmes një reagimi, Çitaku e ka cilësuar thellësisht të padrejtë aktgjykimin e shkallës së parë, me gjithsej 81 vjet burgim, duke shprehur kundërshtimin e saj ndaj vendimit.
Ajo ka theksuar se procesi në Hagë nuk prek vetëm katër ish-krerët e UÇK-së, por edhe historinë e luftës çlirimtare dhe rrugën e Kosovës drejt lirisë e pavarësisë.
Çitaku ka bërë thirrje për angazhim të përbashkët shtetëror, përtej dallimeve partiake, në hartimin e një strategjie për procesin e apelit, forcimin e mbrojtjes juridike dhe intensifikimin e angazhimit diplomatik.
Ajo ka bërë të ditur gjithashtu se po punohet për plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, me synimin e krijimit të një mbështetjeje më të qëndrueshme juridike për të akuzuarit.
“Nuk kërkojmë privilegje. Kërkojmë drejtësi!”, ka shkruar Çitaku, duke përfunduar reagimin me mesazhin se Kosova nuk do t’i lërë vetëm ish-krerët e UÇK-së.
“Çlirimtarë, ju mbahuni të fortë! Ne nuk do t’ju lëmë kurrë vetëm! As sot. As nesër. Asnjëherë”, ka përfunduar ajo.
Postimi i plotë:
Sot bëhen gjashtë vjet nga shkuarja në Hagë e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Gjashtë vjet larg familjeve, lirisë dhe vendit për të cilin dhanë gjithçka.
Aktgjykimi i shkallës së parë, me gjithsej 81 vjet burgim, është për ta thellësisht i padrejtë, ndërsa për ne krejtësisht i papranueshëm. E kundërshtojmë fuqishëm, sepse bie ndesh me provat, me standardet e një gjykimi të drejtë dhe me të vërtetën historike të luftës sonë çlirimtare.
Në këtë proces nuk janë vënë në pikëpyetje vetëm katër çlirimtarë. Është vënë në pikëpyetje vetë historia e UÇK-së dhe rruga e Kosovës drejt lirisë e pavarësisë.
Por historia jonë nuk fillon në sallat e gjyqit në Hagë. Dhe nuk mund të rishkruhet nga një aktgjykim!
Kosova e lirë dhe e pavarur është rezultat i sakrificës së një populli të tërë, i luftës së shenjtë të UÇK-së dhe i mbështetjes vendimtare të aleatëve tanë, SHBA-së, vendeve evropiane dhe NATO-s.
Sot është koha që Republika e Kosovës t’i dalë zot historisë së vet dhe çlirimtarëve të saj.
Angazhimi i përbashkët shtetëror, përtej dallimeve partiake, për hartimin e Strategjisë Shtetërore për procesin e apelit, forcimin e mbrojtjes juridike, sigurimin e mbështetjes së nevojshme financiare dhe intensifikimin e angazhimit diplomatik, është në funksion të kësaj mbrojtjeje.
Paralelisht, po punojmë për plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, për të krijuar një mbështetje më të plotë dhe më të qëndrueshme juridike për çlirimtarët tanë.
Nuk kërkojmë privilegje. Kërkojmë drejtësi! Dhe nuk do të lejojmë që një aktgjykim ta shtrembërojë historinë e një populli që luftoi për liri.
Sepse Republika që lindi nga sakrifica e çlirimtarëve të saj, sot ka detyrimin të qëndrojë pranë tyre.
Çlirimtarë, ju mbahuni të fortë! Ne nuk do t’ju lëmë kurrë vetëm!
As sot. As nesër. Asnjëherë.






