Ministri në detyrë i Kulturës, Hajrullah Çeku ka reaguar pas nisjes së punimve nga Komuna e Prishtinës në sheshin “Xhorxh Bush” pavarësish se Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore kishte ndërprerë punimet.
Çeku në një reagim në Facebook ndaj kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili akuzoi nivelin qendror për bllokim të punës në kryeqytet, ka thënë se ligji duhet respektuar nga të gjithë.
“Dështimi spektakolar i qeverisjes në Prishtinë, në fakt, është dështim i Lumirit. Dhe pafytyrësia në këtë rast po merr dimension të ri. Në vend që të turpërohet nga kjo, ai mbron paligjshmëritë dhe paralajmëron vazhdimësi të keqqeverisjes edhe për një mandat. Përralla elektorale e Lumir-Përparimit është kjo: nuk arritëm të bëjmë ndonjë punë të vlefshme për katër vite, por fajet i ka qeveria. Me shumë zhurmues të sponsorizuar po mendojnë që qytetarët do ta besojnë përrallën. Mbrojtjen e ligjshmërisë po tentojnë ta shesin si bllokadë politike”, ka shkruar Çeku.
Ai ka thënë se nuk janë për të bllokuar zhvillimin e Prishtinës, por që ligji duhet respektuar.
“Për të gjithë propagandistët, dua të bëj një sqarim. Ligji parasheh që për investime brenda zonave të mbrojtura, duhet të merret edhe pëlqimi i autoriteteve të trashëgimisë kulturore. Këtij detyrimi ligjor i nënshtrohen të gjithë, edhe komunat e institucionet e tjera, përfshi vet Ministrinë e Kulturës për investimet e saj. Dhe një tjetër informacion për propagandistët. Kur komuna e Prishtinës e ka respektuar ligjin dhe procedurën, psh. në projektin e sallës koncertale, përveç që i është dhënë pëlqimi, si ministri kemi ndarë edhe dhjetë milionë euro buxhet si mbështetje për komunën”, ka shkruar Çeku.