Organizatori i protestave “Jo në emrin tim”, Çlirim Haziri, ka vlerësuar pjesëmarrjen e qytetarëve dhe veçanërisht të rinjve në këto protesta.
Duke folur për marshin gjithëpopullor të zhvilluar një ditë më parë, Haziri, i ftuar në “FIVE” u shpreh se pjesëmarrja ishte e jashtëzakonshme dhe se protestuesit kanë përcjellë një mesazh të përbashkët kundër vendimit të Speciales.
“Dje e kemi pas një marsh gjithëpopullor dhe ka qenë marshi më i madh që është organizu naj herë dhe është emocion i veçantë t’ju drejtohet një numri aq të madh të audiencës që ndaj të njëjtin kundërshtim e revoltë dhe jemi bashkë tash e 17 ditë e natë duke protestuar në Prishtinë e qytete të ndryshme duke përqu një mesazh dhe duke e shprehur revoltën kundër një vendimi të një gjykate politike”, u shpreh Haziri.
Ai tha se pjesëmarrja e të rinjve në protesta ka qenë një nga elementet që, sipas tij, i ka dhënë forcë kësaj nisme.
“Sot është dita e 17-të që ne prej vendimit të Gjykatës Speciale jemi në shesh të Prishtinës duke protestuar kundër atij vendimi dhe gjatë gjithë kësaj kohë ku kam qetë prehje dhe ngushëllim nëse mundem me thënë në gjithë këtë ngjarje që ka goditë vendin dhe neve si familje e dëshmorit është rinia e Kosovës dhe guximi e gatishmëri e forca e tyre përmes protestës me e shpreh pakënaqësinë dhe me ruajt Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si dhe mirënjohja e tyre për dëshmorët e gjithë ata që kanë dhënë shumë për Kosovën dhe mendoj se kjo ja ka vlejte dhe të gjithë janë krenarë për këtë rini dhe të gjithë ja bëjnë hallall atyre që kanë dhënë jetën e kanë bërë shumë për Kosovën”, u shpreh Haziri.
Haziri ka deklaruar se, sipas tij, aktgjykimi i Speciales ka goditur jo vetëm ish-krerët e UÇK-së, por edhe figurën dhe trashëgiminë e luftës çlirimtare.
Mes tjerash, Haziri përsëriti se sipas tij, po të ishte gjallë, edhe komandanti legjendar i UÇK-së, Adem Jashari, do të mund të përballej me akuza nga kjo gjykatë.
“Vendimi i Gjykatës Speciale, ai dënim i krerëve të UÇK-së dhe dënimi i UÇK-së është dënim për të gjithë dëshmorët e Kosovës. Unë e kam thënë e po e përsërisë se edhe po të ishte Adem Jashari gjallë do të ishte i pari që do të akuzohej e dënohej nga kjo gjykatë – të gjithë dëshmorët e heronjtë e Kosovë secili nga ta do të akuzohej e dënohej sepse kjo Gjykatë na tregoi se vendimet nuk i merr në bazë të provave e fakteve por që vendimet i ka të diktuara politikisht e të fabrikuara në Serbi e të ekzekutuara në Hagë”, u shpreh ai.






