Në anën tjetër, në javët para shkarkimit të tij, Blerim Isufaj kishte zhvilluar takime të përsëritura me përfaqësuesit e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kosovë, në një kohë kur përballej me sulme dhe kritika të vazhdueshme nga pushteti.
Më 11 shtator, Isufaj ishte takuar në Prishtinë me të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së SHBA-së, Anu Prattipati, ku ishte diskutuar puna e Prokurorisë Speciale dhe sundimi i ligjit në Kosovë. PSRK-ja kishte falënderuar Ambasadën Amerikane për mbështetjen në hetimet kundër organizatave kriminale transnacionale dhe për bashkëpunimin me agjencitë amerikane të zbatimit të ligjit.
Vetëm pak ditë më vonë, më 25 shtator, Prattipati ishte takuar sërish me Isufajn, këtë herë në Ambasadën Amerikane. Sipas njoftimit të Ambasadës, në fokus ishte “vazhdimi i bashkëpunimit tonë të suksesshëm” me Prokurorinë Speciale në luftën kundër terrorizmit, kontrabandës së drogës dhe migrantëve, krimeve kibernetike dhe organizatave kriminale transnacionale.
Në këtë takim, Ambasada Amerikane e kishte falënderuar Isufajn për bashkëpunimin e suksesshëm, përfshirë punën që kishte ndihmuar në avancimin e prioriteteve të sigurisë kombëtare të SHBA-së dhe ndjekjen penale të krimit transnacional. Takimi i dytë kishte ardhur pak ditë pas aktakuzës për Prekazin dhe rreth tri javë pas takimit të parë mes Prattipatit dhe Isufajt, më 11 shtator, kur ishte diskutuar puna e Prokurorisë Speciale dhe sundimi i ligjit në Kosovë.
Një tjetër rast që kishte dëshmuar bashkëpunimin mes institucioneve të Kosovës dhe atyre amerikane ishte edhe hetimi ndaj shtetasit kosovar Ardit Kutleshi, i cili ishte deklaruar fajtor në Shtetet e Bashkuara për krijimin dhe operimin e platformës së krimit kibernetik “Rydox”.
Departamenti amerikan i Drejtësisë kishte bërë të ditur se hetimi ishte zhvilluar nga FBI-ja në Pittsburgh në koordinim me Prokurorinë Speciale të Kosovës, që udhëhiqej nga Isufaj.
“Një tjetër shembull i bashkëpunimit të suksesshëm SHBA-Kosovë në luftën kundër krimit kibernetik transnacional. Faleminderit Prokurorisë Speciale të Kosovës, institucioneve të Kosovës dhe të gjithë të përfshirëve për bashkëpunimin e shkëlqyer në sjelljen e këtij rasti para drejtësisë!” thuhej në reagimin e ambasadës.
Edhe FBI Cyber Division kishte vlerësuar publikisht bashkëpunimin në këtë rast, duke theksuar se FBI-ja dhe partnerët e saj ndërkombëtarë e kishin mbyllur platformën dhe kishin çuar para drejtësisë personin që e kishte krijuar dhe drejtuar atë.
Por e gjithë kjo punë nga Prokuroria Speciale, me në krye Isufajn, nuk del të ishte e kënaqshme për “dëshirat e Kurtit” dhe vartësve të tij, të hetuar nga kjo prokurori për një mori skandalesh e keqpërdorimesh, çka pasoi me shkarkimin e tij nga KPK-ja, tashmë i kapur nga pushteti.






