“Boll më ndëshkim veç pse s’kanë votuar VV-në”: Komunat protestojnë kundër pushtetit të Vetëvendosjes më 1 shtator

- Advertisement -

Kryetarë të komunave të Kosovës kanë paralajmëruar protesta kundër Qeverisë në detyrë, duke e akuzuar për bllokim financiar dhe centralizim të kompetencave.

Protesta e parë është paralajmëruar për 1 shtator, nga ora 11:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, pranë objektit të Qeverisë.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, u ka bërë thirrje qytetarëve të kryeqytetit dhe gjithë Kosovës që t’i bashkohen protestës.

“Boll mo! Qytetarët nuk mund të ndëshkohen sepse nuk e kanë votuar Vetëvendosjen”, ka shkruar Rama.

Ai ka pretenduar se komunave po u bllokohen mjetet dhe investimet për shkak të rezultatit zgjedhor dhe përkatësisë politike të udhëheqjes lokale.

Sipas tij, paratë e qytetarëve duhet të rikthehen përmes investimeve në shkolla, çerdhe, rrugë, shëndetësi dhe projekte të tjera komunale.

“Kur qytetarët ndëshkohen për mënyrën si votojnë, kur paratë e tyre bllokohen dhe pushteti tenton të centralizohet në një dorë, kjo është rruga drejt autokracisë.”

Rama kishte deklaruar më herët se kryetarët janë bashkuar kundër “shkeljes së vazhdueshme të ligjit dhe qasjes totalitare të Qeverisë Kurti”.

Ai pretendoi se mbi 344 milionë euro u janë marrë komunave që nga viti 2022 për obligime që, sipas tij, nuk i kanë krijuar vetë.

Ndërkohë, kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Agim Aliu, tha se kryetarët nuk e kanë takuar Albin Kurtin prej dy vjetësh.

“Ka dy vite që nuk e kemi takuar kryeministrin”, tha Aliu në konferencën për media të mbajtur më 29 gusht.

Sipas tij, përmes protestës komunat nuk po kërkojnë privilegje, por që “të respektohen ligjet, të mos u hyhet në kompetenca të kryetarëve.”

Aliu tha se komunave u janë marrë deri tani 360 milionë euro nga buxhetet e tyre, duke veçuar pasojat e Kontratës Kolektive.

Ai pretendoi se proceset gjyqësore dhe përmbarimore kanë shkaktuar mbi 100 milionë euro dëm, duke i çuar komunat drejt vështirësive financiare.

“Ky është hapi i parë i protestave”, paralajmëroi Aliu, duke lënë të hapur mundësinë e veprimeve të tjera nga Asociacioni.

Ende nuk është e qartë nëse protestës do t’i bashkohen kryetarët e komunave të udhëhequra nga Vetëvendosje.

Aliu tha se Asociacioni nuk ka marrë zyrtarisht përgjigje negative nga kryetarët e Mitrovicës, Podujevës, Fushë Kosovës, Shtimes, Kamenicës dhe Gjilanit.

Edhe nënkryetarja e Prishtinës, Besianë Musmurati, ka ftuar qytetarët, zyrtarët dhe punëtorët komunalë që të dalin në protestën e 1 shtatorit.

“Dalim në protestë për komunat tona, për institucionet tona dhe kundër një pushteti që po tenton me i marrë krejt kompetencat në një dorë.” /Nacionale/

Të ngjashme

Të fundit