Njëra nga pyetjet kishte të bënte me situatën politike në Kosovë dhe mundësinë që partitë opozitare të bashkoheshin për krijimin e një qeverie të re.
I pyetur nëse opozita duhej të bashkohej për të formuar qeverinë, Thaçi u përgjigj shkurt: “Nuk kam koment”.
Ndërkaq, në pyetjen e dytë, Fevziu e pyeti ish-presidentin nëse Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje duhet të bashkëpunojnë për çështjen e presidentit.
Thaçi tha se Kosova ka nevojë për një konsensus sa më të gjerë politik.
“Do të duhej të ndodhte një konsensus sa më i gjerë politik. Shoqëria jonë ka plot gra dhe burra të çmuar me dinjitet dhe integritet… Mendoj që ka ardhur koha që zgjedhja e presidentit të bëhet drejtpërdrejt nga qytetarët, përndryshe vazhdimisht do të ketë kriza qeveritare”, deklaroi ai.
Sipas Thaçit, për një ndryshim të tillë nevojiten ndryshime kushtetuese dhe pajtim i gjerë politik, përfshirë edhe komunitetet joshumicë.
“Kërkohen ndryshime kushtetuese, patjetër duhet të pajtohen edhe komunitetet. Kosova dhe Shqipëria janë vendet e fundit në rajon që presidentin e zgjedhin nga parlamenti”, u shpreh ai.






