Beqiri: Në Hagë u dënua drejtoria politike e UÇK-së, jo individët

- Advertisement -

Avokati i Jakup Krasniqit, Mentor Beqiri, e ka cilësuar si “skandaloz” aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Në Debat Plus, Beqiri ka kritikuar mënyrën se si, sipas tij, trupi gjykues ka vlerësuar provat dhe dëshmitë gjatë procesit.

“Ditën kur është dhënë verdikti neve na është dorëzuar aktgjykimi. Aktgjykimi, sipas meje, është skandaloz. Gjetjet janë skandaloze, arsyetimi është i njëjtë”, ka deklaruar Beqiri.

Ai është ndalur te terminologjia “cherry-picking”, të cilën e përdori për të përshkruar atë që ai e konsideron si përzgjedhje selektive të provave.

“Kjo i bie me selektu atë çfarë po don me dëgju. Kjo metodë e përzgjedhjes është e ndaluar edhe për prokurorinë, jo vetëm për trupin gjykues”, tha ai.

Sipas Beqirit, në rastin e ish-krerëve të UÇK-së ka pasur përzgjedhje selektive të provave, dëshmitarëve dhe pjesëve të dëshmive të tyre.

“Ne kemi pasur një gjykim i cili ka përzgjedhje selektive të provave, ka përzgjedhje selektive të dëshmitarëve dhe ka përzgjedhje selektive të pjesëve të dëshmive nga dëshmitarë të caktuar”, u shpreh ai.

Beqiri ka kritikuar edhe aplikimin e përgjegjësisë përmes konceptit të ndërmarrjes së përbashkët kriminale, duke u ndalur veçanërisht te ajo që ai e përshkroi si “shkalla e tretë” e kësaj forme të përgjegjësisë.

Ai ka thënë se, sipas kësaj qasjeje, një person mund të mbahet përgjegjës për një krim të kryer nga dikush tjetër, nëse ka pasur dijeni se ai mund ta kryejë atë.

“Nuk është dënuar individi. Është dënuar posti që ai ka mbajtur. Nuk është dënuar Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi. Është dënuar drejtoria politike e Ushtrisë së Kosovës”, deklaroi Beqiri.

Sipas tij, përgjegjësia është bartur te ish-krerët e UÇK-së për shkak të funksioneve që kanë mbajtur.

“Është dënuar posti politik dhe jo individi që ka kryer veprime”, tha ai.

Beqiri tha gjithashtu se, sipas tij, në aktgjykim nuk është konstatuar se Jakup Krasniqi ka qenë i pranishëm në ndonjë rast kur një person është keqtrajtuar, arrestuar apo vrarë.

“Nuk ka pasur asnjë rast që Jakup Krasniqi ka qenë prezent kur një person është keqtrajtuar, arrestuar apo edhe vrarë. Trupi gjykues e konstatoi një gjë të tillë. Mirëpo, posti politik si zëdhënës atij po i bartka përgjegjësinë, sipas trupit gjykues”, deklaroi Beqiri.

Të ngjashme

Të fundit