Bekim Haxhiu: Vendimi i Supremes cenon besimin në procesin zgjedhor

- Advertisement -

Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka reaguar pasi Gjykata Supreme e Kosovës refuzoi ankesën e tij për rinumërimin e votave preferenciale të kandidatëve të PDK-së, shkruan Scanner.

Haxhiu tha se e respekton vendimin e Gjykatës Supreme, por se nuk pajtohet me arsyetimin e saj. Sipas tij, ankesa ishte mbështetur në raportin zyrtar të Sekretariatit të Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për rinumërimin e 185 vendvotimeve, i cili, sipas tij, evidenton gabime në 38 komuna.

Ai pretendon se gabimet nuk kanë qenë të izoluara, por të përhapura, dhe se mund të kenë ndikuar në renditjen e kandidatëve në listën e hapur të PDK-së. Haxhiu gjithashtu akuzoi KQZ-në se nuk i ka dorëzuar organit ankimor listën e plotë të ndryshimeve të votave për secilin kandidat.
Sipas tij, diferenca prej 102 votash me kandidatin e fundit që fitoi mandat, së bashku me ndryshimet e evidentuara gjatë rinumërimit, kanë qenë arsye të mjaftueshme për një verifikim të plotë të rezultatit.
Haxhiu tha se certifikimi i rezultatit në këto rrethana cenon besimin në zgjedhje dhe në demokraci, ndërsa shtoi se do të vazhdojë betejën ligjore për, siç u shpreh ai, mbrojtjen e votës së qytetarëve. Në fund, ai falënderoi mbështetësit për besimin dhe u uroi suksese kolegëve të tij.

Reagimi i plotë:

Të dashur qytetarë,

Sot, Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar ankesën time, duke e konsideruar të pathemeltë kërkesën për rinumërim të votave preferenciale të kandidatëve të PDK-së. Ky vendim e vë në pikëpyetje thelbin e procesit zgjedhor dhe barazinë para ligjit.

Unë e respektoj institucionin e Gjykatës Supreme, por nuk mund të pajtohem me argumentet dhe konstatimet e saj, për këto arsye:

1. Provat e reja u injoruan: Ankesa ime u bazua në prova të reja dhe vendimtare – Raporti Zyrtar i Sekretariatit të KQZ-së për rinumërimin e 185 vendvotimeve. Ky raport, të cilin KQZ e mbajti sekret, zbulon se në 38 komuna janë evidentuar gabime dhe se ndryshimi absolut i votave te PDK ishte 10.71%, pra mbi 557 vota të regjistruara gabimisht vetëm në 5,201 vota të rinumëruara. Këto nuk janë supozime, janë fakte zyrtare të KQZ-së.
2. Gabimi nuk ishte ‘i izoluar’, por i përhapur: Gjykata i cilësoi gabimet si minimale dhe sporadike. Megjithatë, Raporti Zyrtar dëshmon se gabime u gjetën në çdo komunë të rinumëruar, me përqindje gabimi që shkonin nga 6,05% deri në 24.89%. Këto nuk janë gabime ‘sporadike’, por dëshmi e një dobësie sistematike në procesin e numërimit fillestar në QKN.
3. Standard i dyfishtë i provave: Nga unë u kërkua që të siguroj prova bindëse, por vetë KQZ-ja, si organ që administron zgjedhjet dhe zotëron të gjitha provat, nuk i ofroi PZAP-it listën e plotë të ndryshimeve të votave për çdo kandidat, duke e lënë në errësirë këtë proces. Kjo është një shkelje e barazisë procedurale.
4. Lista e hapur dhe ndikimi real: Diferenca ime me kandidatin e fundit që fitoi mandatin është vetëm 102 vota. Duke qenë se gara është brenda të njëjtit subjekt (PDK), ajo që ka rëndësi nuk është bilanci i përgjithshëm i votave të PDK-së, por shpërndarja e tyre mes kandidatëve. Raporti tregon se të paktën 18 kandidatë të PDK-së kanë pësuar ndryshime të votave nga -10 deri +10 vota. Injorimi i efektit kumulativ të këtyre gabimeve që mund të ndryshojnë renditjen në një listë të hapur, është një gabim themelor juridik nga kolegji i gjyqëtarëve të Gjykatës Supreme.
Ky vendim i Gjykatës Supreme, përkeqëson padrejtësinë dhe krijon një precedent të rrezikshëm. Ai në thelb thotë se një gabim i provuar prej 10.71% në 5,201 vota të rinumëruara, nuk është i mjaftueshëm për të verifikuar saktësinë e rezultatit përfundimtar.

Certifikimi i rezultatit me këto të dhëna cenon besimin në zgjedhje dhe, rrjedhimisht, në vetë demokracinë tonë.

Unë do të vazhdoj të luftoj për të drejtën time kushtetuese, por mbi të gjitha, për të drejtën e çdo qytetari që vota e tij të numërohet saktë dhe me ndershmëri.

Duke qenë kandidati i 21 më i votuar i PDK-së me 20,541 vota, pa llogaritur ato që KQZ nuk pranojë t’i regjistroj, i falënderoj të gjithë ata që me besuan në këto zgjedhje dhe në 5 mandatet e e kaluar si deputet.
Besoj në vetëdijën qytetare për ndryshim, që në vazhdën e lojërave politike të Albin Kurtit, t’i thonë stop manipulimit me vullnetin e qytetarëve.
Suksese kolegëve të mi!

Të ngjashme

Të fundit