David Beckham beson se Lionel Messi e meriton të fitojë Topin e Artë për vitin 2026, duke e cilësuar argjentinasin si favorit personal për çmimin prestigjioz.
Messi, i cili ka fituar Topin e Artë plot tetë herë, është pjesë e listës prej 30 futbollistësh të nominuar për edicionin e këtij viti.
Në moshën 39-vjeçare, ylli argjentinas vazhdon të shkëlqejë me Inter Miamin. Të mërkurën, Messi shënoi golin e tij të 100-të me fanellën e klubit amerikan, ndërsa dhuroi edhe një asistim për Casemiron në fitoren 2-0 ndaj Cruz Azul, rezultat që i siguroi Miamit trofeun Campeones Cup.
Beckham, bashkëpronar i Inter Miamit dhe ish-kapiten i Anglisë, nuk pati dilema kur u pyet për Topin e Artë.
“Kur e shihni duke bërë gjëra të tilla, kur shihni Botërorin që ka zhvilluar, nuk ka askush në moshën 39-vjeçare që po bën atë që bën ai dhe në atë nivel. Ai e meriton të konsiderohet për Topin e Artë. Sipas mendimit tim, ai duhet ta fitojë”, deklaroi Beckham.
Messi realizoi tetë gola dhe katër asistime gjatë rrugëtimit të Argjentinës deri në finalen e Kupës së Botës 2026, ku “Albiceleste” u mposht nga Spanja.
Me asistimin ndaj Cruz Azul, Messi e çoi në 12 numrin e asistimeve të tij në historinë e Kupës së Botës, prej të cilave 10 kanë ardhur në fazën eliminatore. Asnjë futbollist tjetër i regjistruar nuk ka më shumë se tetë asistime gjithsej në këtë kompeticion.
Argjentinasi është gjithashtu golashënuesi i dytë më i mirë në historinë e Kupës së Botës me 21 gola, vetëm një gol larg francezit Kylian Mbappé, i cili kryeson me 22.
Nëse Messi do ta fitonte edhe këtë edicion, do të ishte Topi i Artë i nëntë në karrierën e tij.






