Besa Ismaili, ka bërë thirrje për unitet politik dhe shoqëror pas vendimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Ismaili ka deklaruar se Kosova duhet të japë një kundërpërgjigje të bashkuar dhe të koordinuar në rrafshin politik, diplomatik dhe juridik, duke mbështetur iniciativat e kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza.
Ajo ka kërkuar tejkalimin e dallimeve partiake dhe interesave të ngushta, duke theksuar nevojën për, siç është shprehur, “mbrojtjen e pastërtisë së luftës së UÇK-së dhe të së vërtetës historike të Kosovës”.
“Nuk duhet t’ia japim Serbisë, regjimit që kreu krime dhe gjenocid në Kosovë, kënaqësinë që ta paraqesë këtë vendim si fitoren e saj politike dhe propagandistike”, ka shkruar Ismaili.
Ajo ka bërë gjithashtu thirrje për pjesëmarrje në protestën e paralajmëruar për sot në orën 12:00.
“Jo për parti, por për Kosovën. Jo për të heshtur, por për ta bërë të dëgjueshëm zërin e së vërtetës dhe të drejtësisë”, ka thënë Ismaili.
Postimi i plotë:
Në këtë moment vendimtar, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, po përpiqet të ndërtojë kohezionin e domosdoshëm politik, që Kosova të japë një kundërpërgjigje të fuqishme, të bashkuar dhe të koordinuar në rrafshin politik, diplomatik dhe juridik. Synimi ynë duhet të jetë i qartë: kundërshtimi me të gjitha mjetet demokratike dhe ligjore i një vendimi të padrejtë, përmes të cilit rrezikon të kriminalizohet vetë lufta çlirimtare e popullit të Kosovës.
Këto iniciativa meritojnë mbështetjen tonë të plotë. Përballë kësaj padrejtësie, duhet të flasim me një zë para botës. Duhet t’i kapërcejmë dallimet partiake, interesat e ngushta dhe përplasjet e përditshme, sepse kauza që na bashkon është shumë më e madhe: mbrojtja e pastërtisë së luftës së UÇK-së dhe e së vërtetës historike të Kosovës.
Nuk duhet t’ia japim Serbisë, regjimit që kreu krime dhe gjenocid në Kosovë, kënaqësinë që ta paraqesë këtë vendim si fitoren e saj politike dhe propagandistike.
Sot, në orën 12:00, shihemi në protestën gjithëpopullore. Jo për parti, por për Kosovën. Jo për të heshtur, por për ta bërë të dëgjueshëm zërin e së vërtetës dhe të drejtësisë.
Të bashkuar për çlirimtarët.
Të bashkuar për UÇK-në.
Të bashkuar për Kosovën! 🇽🇰






