BE përsërit qëndrimin për ligjin e Speciales, s’komenton për “paradoksin” e dy Kushtetueseve që mund ta interpretojnë atë

- Advertisement -

Zëdhënësi i Bashkimit Europian, Christian Wigand, ka përsëritur sot qëndrimin e Unionit për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, duke thënë se kjo bie ndesh me obligimet ndërkombëtare të Kosovës.

Ai u pyet rreth ‘paradoksit’ së Dhomës Kushtetuese brenda Dhomave të Specializuara dhe Gjykatës Kushtetuese në Prishtinë që mund ta interpretonin ligjin.

Gazetari në pyetjen e tijpër BE’në kërkoi një shpjegim juridik për rolin e Gjykatës Kushtetuese në Kosovë dhe asaj brenda Dhomave të Specializuara në Hagë.

“Me fjalë të tjera, do të kemi dy organe që e interpretojnë Kushtetutën tonë”.

Wigand tha se i duhet të kufizohet në përgjigje sa i përket qëndrimit politik të Bashkimit Europian për Dhomat e Specializuara të Kosovës, ndërsa tha se për këtë çështje do të mund të përgjigjej më gjerësisht ekipi.

“Dhe do të ishim të gatshëm të shqyrtonim, nëse do të kontaktoni ekipin tonë për një bisedë pak më të detajuar në prapaskenë, nëse ka ndonjë gjë më shumë që mund të themi lidhur me aspektet ligjore që po ngrini. Por mendoj se qëndrimi ynë për Dhomat e Specializuara është shumë i qartë. Bashkimi Europian ka mbështetur vazhdimisht punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës si një institucion i pavarur gjyqësor, i themeluar me vendimet e Kuvendit të Kosovës në vitet 2014–2015, që funksionon brenda sistemit juridik të Kosovës dhe është i garantuar në Kushtetutën e Kosovës”, tha Wigand, duke shtuar:

“Dhe më lejoni të përsëris gjithashtu atë që kemi thënë dhe që është publikuar në deklaratën e zëdhënësit: natyrisht, ligji i miratuar nga Kuvendi i Kosovës, që ndryshon dhe plotëson ligjin ekzistues, bie ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës ndaj Bashkimit Europian”.

Bashkimi Europian kishte lëshuar një komunikatë pasi ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara u miratua në Kuvendin e Kosovës ku thuhej ajo që përsëriti sot zëdhënësi.

Të ngjashme

Të fundit