23.7 C
New York
Saturday, July 27, 2024

Buy now

BE-ja s’e komenton draft-statutin e publikuar në media: Propozimi është i balancuar – përpjekjet diplomatike vazhdojnë

- Advertisement -
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, në një prononcim për Radio Televizionin e Kosovës (RTK), ka thënë se “propozimi i ri” për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë është i balancuar dhe së këndejmi, duhet të lëvizet përpara drejt themelimit të këtij mekanizimi madhor për serbët e Kosovës.

Ai ka folur për ciklin e takimeve që kryeministri kosovar Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç kanë pasur me liderët evropianë në fund të tetorit në Bruksel, derisa ka shtuar se përkundër që palët janë pajtur në parim me përmbajtjen e paketës së re të negociatave Kosovë-Serbi, dy palët kanë pasur parakushte që ishin të papranueshme nga pala tjetër.

“Ata paraqitën një propozim të ri të balancuar evropian për themelimin e Asociacionit të Komunave [me shumicë serbe] dhe këmbëngulën që palët të fillojnë zbatimin e tij. Kjo do të çonte përpara procesin e normalizimit dhe do të zbuste rrezikun për përshkallëzim dhe dhunë të re”, ka njoftuar fillimisht Stano në një përgjigje për televizionin shtetëror.

“Në takim palët sinjalizuan gatishmërinë ‘parimisht’ për ta pranuar këtë propozim evropian, por të dyja kishin parakushte që të ishin të papranueshme nga pala tjetër. Ne presim që kjo gatishmëri të çojë në zbatim pa vonesa të mëtejshme. Parakushtet nuk janë të pranueshme”, ka shtuar ndër të tjera zëdhënësi i BE-së.

Procesi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis dy fqinjëve armiqësorë është karakterizuar prej një mungese radikale të transparencës. Në fakt, ishte bërë e ditur se dialogu po vijon në kushte konfidencialiteti për të krijuar rrethanat që do t’u mundësonin palëve të angazhohen më hapur me njëra-tjetrën, porse këtë praktikë e ka kritikuar tejmase opozita kosovare.

E në anën tjetër, në disa media në Kosovë gjatë ditëve të fundit janë publikuar fragmente të cilat pretendohet se janë pjesë e draft-statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, porse zëdhënësi i BE-së, ndonëse nuk i ka demantuar plotësisht pretendimet e mediave kosovare, ka thënë se propozimi nuk është bërë publik ngase përpjekjet diplomatike janë në vazhdim.

“Propozimi i BE-së nuk është bërë publik sepse përpjekjet diplomatike janë në vazhdim dhe ne asnjëherë nuk kalojmë dokumente zyrtare që po diskutohen. Kjo është praktikë normale në ndërmjetësimin ndërkombëtar. Dhe është gjithashtu politika jonë e kahershme që të mos komentojmë rrjedhjet e supozuara ose raportet e medieve që pretendojnë se e kanë parë ose publikuar dokumentin”.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit