Ballkani ka siguruar kualifikimin në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës, pasi e mposhti skuadrën uellsiane Connah’s Quay me rezultat 3:2 në stadiumin “Fadil Vokrri”. Pas barazimit 0:0 në ndeshjen e parë, kampionët nga Suhareka e fituan duelin me rezultat të përgjithshëm 3:2.
Skuadra suharekase e nisi në mënyrën më të mirë takimin dhe kaloi në epërsi në minutën e 20-të, kur Edvin Kuc realizoi.
Në pjesën e dytë, Ballkani e thelloi epërsinë shumë shpejt. Në minutën e 49-të, Giovanni shënoi për 2:0, ndërsa vetëm tetë minuta më vonë Serebe realizoi golin e tretë, kësaj radhe me asistim nga Giovanni.
Kur gjithçka dukej e mbyllur, mysafirët reaguan. Woodcock ngushtoi shifrat nga pika e bardhë në minutën e 69-të, ndërsa H. Mehasseb realizoi edhe golin e dytë në minutën e 76-të, duke i dhënë emocione minutave të fundit.
Megjithatë, Ballkani arriti ta menaxhojë epërsinë deri në fishkëllimën përfundimtare dhe vulosi kalimin në raundin e dytë kualifikues të UEFA Conference League






