Bajraktari sqaron rrjedhjen e afateve kushtetuese për Qeverinë e presidentin pas konstituimit të Kuvendit

- Advertisement -

Të enjten do të mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës për legjislaturën e XI-të.

Pas kësaj do të nis rrjedhja e afateve për formimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit.

Avokati, Ardian Bajraktari ka sqaruar rrjedhjen e afateve për zgjedhjen e presidentit e formimin e qeverisë, pas konstituimit të Kuvendit.

Bajraktari ka thënë se Kuvendi është i konstituuar pas miratimit të pikave standarde të kësaj seance e që janë: Formimi i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve,Betimi i deputetëve, Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit, Zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.

E pas konstituimit të Kuvendit, Bajraktari ka thënë se fillon rrjedhja e afateve për zgjedhjen e presidentit, që sipas duhet të bëhet brenda 60 ditëve pas konstituimit të Kuvendit.

“Pas konstituimit të Kuvendit fillojnë me rrjedh edhe afatet e tjera si për themelimin e Qeverisë e mbi të gjitha, afati 60 ditor banda së cilës duhet të zgjidhet presidenti, moszgjidhja brenda këtij afati nënkupton sipas fuqisë kushtetuese, vendi me shkua në zgjedhje të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 45 ditë pas kalimit të këtij afati brenda dy muajsh”, ka sqaruar ai në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.

Ndërsa, sa i përket formimit të Qeverisë, ai ka thënë se rrjedha e afatit prej 15 ditëve fillon pas mandatimit të kandidatit për kryeministër, që në situatën aktuale do të bëhet nga ushtruesja e detyrës së presidentes që është Albulena Haxhiu.

“Sa i përket çështjes së Qeverisë, afati prej 15 ditësh për formimin e Qeverisë fillon me rrjedh nga momenti kur përfaqësuesi këtë rast me z. Kurti do të mandatohet nga ushtruesja e detyrës së presidentes”, ka thënë Bajraktari.

Seanca konstituive të enjten fillon nga ora 10:00.

Të martën e të mërkurën , kryetari i LVV-së njëherit kryeministër në detyrë, Albin Kurti kanë zhvilluar takime për arritjen e një marrëveshje për formimin e institucioneve.

Takimet nuk kanë dhënë ndonjë rezultat.

PDK e Aleanca kanë refuzuar ftesën e Kurtit për takim. Nga PDK kanë thënë se qëndrimi i tyre mbetet se do të jenë në opozitë në këtë legjislaturë.

Edhe Aleanca ka mbet në qëndrimet e saj, duke kërkuar që të pranohet gjashtë pikat e tyre në këmbim të bërjes së kuorumit për presidentin.

Të ngjashme

Të fundit