Agim Bahtiri ka reaguar ndaj deklaratave të Jehona Lushaku, duke i quajtur shpifje pretendimet se ai kishte qenë “gjysmë i dehur” në natën kur kishte kërkuar nënshkrime lidhur me procesin e zgjedhjes së Presidentit.
Përmes një reagimi publik, Bahtiri tha se deklarata e Lushakut është “e ulët dhe e turpshme”, duke kërkuar prej saj falje publike.
“SHPIFJA jote se unë paskam qenë ‘gjysmë i dehur’ atë natë kur kam ardhur t’i kërkoj nënshkrimet, është e ulët dhe e turpshme dhe për të duhet të kërkosh falje publike”, thuhet në reagimin e tij.
“Atë natë unë isha në Kuvend për të kërkuar zgjidhje për zgjedhjen e Presidentit, ndërsa ju bredhnit korridoreve duke bërë kalkulime politike dhe duke u tallur para gazetarëve dhe qytetarëve me një proces kushtetues që vetë e kishit bllokuar”, deklaroi ai.
“Zonja Lushaku i ka dy rrugë, ose kërkon falje për shpifjen se kam qenë ‘gjysmë i dehur’, ose shihemi në gjykatë”, përfundon reagimi i tij.






