Rrjeti i Organizatave Joqeveritare AVONET, në kuadër të misionit të tij për hulumtimin e aktiviteteve të prokurimit publik, monitorimin e zbatimit të legjislacionit në fuqi dhe mbrojtjen e interesit publik, gjatë procesit të hulumtimit ka identifikuar përdorimin e diplomave dhe certifikatave të lëshuara nga Qendra për Verifikimin e Aftësive Profesionale “AFTËSIMI” në Prizren.
Me qëllim të verifikimit të statusit juridik dhe vlefshmërisë së këtyre dokumenteve, AVONET i është drejtuar me kërkesë zyrtare Autoritetit Kombëtar të Kualifikimeve (AKK), duke kërkuar sqarime lidhur me akreditimin, autorizimin dhe kompetencën ligjore të këtij subjekti për ofrimin e kualifikimeve profesionale dhe lëshimin e diplomave dhe certifikatave.
Në përgjigjen zyrtare të pranuar nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve është konfirmuar se:
• subjekti “AFTËSIMI” në Prizren nuk ka qenë dhe nuk është i akredituar nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve;
• AKK nuk ka lëshuar asnjë vendim akreditimi, autorizimi apo njohjeje institucionale për këtë subjekt;
• AKK nuk disponon evidencë zyrtare për kualifikimet, programet apo certifikatat e lëshuara nga ky subjekt.
Këto të dhëna zyrtare krijojne dyshime të arsyeshme lidhur me bazën ligjore për lëshimin e këtyre diplomave dhe certifikatave, si dhe me përdorimin e tyre në procedura zyrtare, përfshirë procedurat e prokurimit publik.
Gjatë hulumtimit, AVONET ka identifikuar se, në një aktivitet të prokurimit publik, dokumente të tilla kanë qenë pjesë e dosjes së tenderit të një operatori ekonomik të shpallur fitues. Sipas dokumentacionit të administruar, këto diploma dhe certifikata janë paraqitur si dëshmi për përmbushjen e kritereve të kualifikimit profesional të përcaktuara në dosjen e tenderit dhe kanë shërbyer si bazë për vlerësimin dhe shpalljen e ofertës fituese nga autoriteti kontraktues.
Bazuar në faktet e administruara gjatë hulumtimit dhe në përgjigjen zyrtare të Autoritetit Kombëtar të Kualifikimeve, AVONET do t’u drejtohet organeve kompetente të zbatimit të ligjit me kërkesë për inicimin e hetimeve, për shkak të ekzistimit të dyshimit të arsyeshëm se rrethanat e këtij rasti mund të përmbajnë elemente të veprave penale të parashikuara në Kodin Penal të Republikës së Kosovës, përkatësisht Mashtrimi sipas nenit 323, Falsifikimi i dokumenteve sipas nenit 390, si dhe Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve sipas nenit 391, nëse këto elemente vërtetohen gjatë procedurës hetimore.
Për këtë arsye, duke marrë parasysh interesin e lartë publik dhe nevojën për mbrojtjen e integritetit të sistemit të prokurimit publik dhe të kualifikimeve profesionale, AVONET i bën thirrje Prokurorisë së Shtetit, Policisë së Kosovës, ministrive kompetente, agjencive përkatëse dhe institucioneve të tjera përgjegjëse që, në kuadër të kompetencave të tyre ligjore, të ndërmarrin pa vonesë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale për zbardhjen e plotë të kësaj çështjeje dhe përcaktimin e përgjegjësisë eventuale ligjore.
AVONET do të vazhdojë monitorimin e kësaj çështjeje dhe do t’u vërë në dispozicion institucioneve kompetente të gjitha faktet, informacionet dhe dokumentacionin e administruar gjatë hulumtimit, me qëllim garantimin e zbatimit të ligjit, mbrojtjen e integritetit të sistemit të prokurimit publik, ruajtjen e besimit në sistemin e kualifikimeve profesionale dhe mbrojtjen e interesit publik.






