Arrestohet një 21-vjeçar, dyshohet për disa raste të vjedhjeve në Kaçanik

- Advertisement -

Një person është arrestuar nga Policia e Kosovës, pasi dyshohet se ka kryer disa vjedhje në Kaçanik.

Sipas njoftimit të policisë, më 5 gusht 2026 janë raportuar dy raste, “Vjedhje e rëndë” dhe “Vjedhje e rëndë në tentativë”, të ndodhura në rrugën “Idriz Seferi” në Kaçanik.

“Pas pranimit të informatave, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa hetuesit e stacionit policor në Kaçanik, pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore, analizimit të provave materiale dhe punës operative në terren, kanë arritur të identifikojnë personin e dyshuar me inicialet I.R., 21 vjeç”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Policia njofton se i dyshuari është shoqëruar në stacionin policor, ku gjatë intervistimit ka pranuar përfshirjen në tri raste të vjedhjeve.

“I dyshuari është shoqëruar në stacionin policor në Kaçanik, ku gjatë intervistimit, në prezencë të avokatit mbrojtës, ka pranuar përfshirjen në dy rastet e raportuara më 05.08.2026, si dhe në një rast tjetër të ‘Vjedhjes së rëndë’, të raportuar më datën 08.07.2026”, thuhet më tej në njoftim.

Sipas Policisë, të gjitha veprimet janë ndërmarrë në koordinim me prokurorin e shtetit.

“Të gjitha veprimet policore janë ndërmarrë në konsultim me prokurorin e shtetit dhe, pas përfundimit të procedurave të nevojshme ligjore, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Të ngjashme

Të fundit