Protesta në Prishtinë në reagim ndaj vrasjes së Arlinda Zekajt po vazhdon edhe sot. Qytetar[t e indinjuar po kërkojnë drejtësi dhe përgjegjësi institucionale për rastin që ka tronditur opinionin publik.
Me thirrjet “Arlinda nuk u mbrojt nga shteti” dhe “Ata njerëz kanë me u përgjigj”, protestuesit po shprehin pakënaqësinë e tyre ndaj institucioneve, duke kërkuar që të gjithë ata që kanë përgjegjësi për mosmbrojtjen e saj të japin llogari.
Protesta po mbahet në shenjë revolte ndaj dështimit institucional për ta mbrojtur Arlindën, e cila ishte paraqitur në polici për të raportuar dhunën në familje, para se të vritej.
Pjesëmarrësit kërkojnë që rasti të mos mbetet vetëm në nivel të reagimeve publike, por të pasohet me hetime të plota dhe përgjegjësi konkrete për secilin zyrtar që mund të ketë neglizhuar detyrën.






