Aplikimi i Kosovës i bllokuar nga vendet anëtare, KE përsërit se është gati të japë një opinion nëse i kërkohet

- Advertisement -

Komisioni Evropian ka përsëritur gatishmërinë për të përgatitur një opinion lidhur me aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Këtë qëndrim Komisioni Evropian e ka bërë të ditur të mërkurën, më 4 nëntor, në ditën kur janë publikuar raportet e progresit për vendet e përfshira në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian.

Në raportin për Kosovën, Komisioni thekson se është i gatshëm të përgatisë opinionin për aplikimin e Kosovës, nëse këtë e kërkon Këshilli i BE-së, ku përfaqësohen vendet anëtare.

Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE, i dorëzuar në dhjetor të vitit 2022, vazhdon të mos procedohet në fazën e shqyrtimit nga Komisioni Evropian, për shkak të mungesës së një vendimi nga vendet anëtare për t’ia përcjellë aplikimin Komisionit.

Në raport, Komisioni vlerëson se procesi i reformave të Kosovës në rrugën drejt BE-së ka ngecur gjatë krizës së zgjatur institucionale. Ai evidenton përparim në luftimin e krimit të rëndë dhe të organizuar, si dhe në përafrimin e plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së.

Megjithatë, shqetësime janë ngritur për funksionimin e sistemit gjyqësor dhe respektimin e të drejtave themelore.

Komisioni po ashtu konstaton se, pas transferimit të qeverisjes lokale në veri të Kosovës, ka hequr masat ndaj vendit, duke rifilluar angazhimin përmes Dialogut të Procesit të Stabilizim-Asociimit dhe duke vazhduar dhënien e asistencës financiare.

Në përfundim, Brukseli kërkon nga Kosova që të përshpejtojë reformat dhe të zbatojë të gjitha obligimet që dalin nga Dialogu i lehtësuar nga BE-ja, të cilin e konsideron pjesë integrale të perspektivës evropiane të vendit.

Të ngjashme

Të fundit