Telekomi i Kosovës ka bërë një komunikatë për media rreth transmetimit të ndeshjeve të Kampionatit Botëror.
64 ndeshje do të tranmetohen në Radio Televizionin Publik të Kosovës, kurse për të parë të gjitha ndeshjet, 104 gjithsej, Telekomi i Kosovës ka një ofertë për individët.
Ky rast ka hapur një debat të madh në publik, ndërsa ky është reagimi i plotë i Telekomit:
TELEKOMI I KOSOVËS SH.A. Prishtinë, më 15.06.2026
KOMUNIKATË PËR MEDIA
Telekomi i Kosovës ka siguruar qasje të gjerë në Kupën e Botës FIFA 2026 për qytetarët e Kosovës Telekomi i Kosovës, si kompani publike që operon në treg sipas parimeve komerciale dhe financohet nga aktiviteti i vet biznesor, ka investuar në sigurimin e të drejtave ekskluzive të transmetimit të Kupës së Botës FIFA 2026 për territorin e Republikës së Kosovës. Duke marrë parasysh interesimin e madh të publikut për këtë ngjarje sportive dhe diskutimet e ditëve të fundit, e konsiderojmë të rëndësishme të sqarojmë disa fakte. Në bazë të marrëveshjeve që rregullojnë këto të drejta transmetimi, 64 nga gjithsej 104 ndeshje të Kupës së Botës transmetohen pa pagesë shtesë për të gjithë qytetarët e Kosovës përmes Radiotelevizionit të Kosovës (RTK). Kjo do të thotë se pjesa më e madhe e ndeshjeve të kësaj ngjarjeje sportive është e qasshme për publikun e gjerë pa asnjë kufizim dhe pa ndonjë obligim financiar. Njëkohësisht, mbi 20,000 klientë të shërbimeve fikse të Telekomit të Kosovës kanë qasje në të gjitha 104 ndeshjet e Kupës së Botës pa pagesë shtesë, si pjesë e shërbimeve që tashmë përdorin. Për 40 ndeshjet që transmetohen ekskluzivisht, me qëllimin e vetëm që asnjë qytetari të mos i pamundësohet shikimi i botërorit, Telekomi i Kosovës ka krijuar një model të hapur qasjeje, i cili u mundëson të gjithë qytetarëve të Kosovës t’i ndjekin këto ndeshje përmes platformës TV Vala kundrejt një pagese të vetme prej 20 eurosh për komplet botërorin. Kjo mundësi është e disponueshme për të gjithë përdoruesit e internetit në Kosovë, pavarësisht operatorit nga i cili marrin shërbimet. Për më tepër, Telekomi i Kosovës ka qenë dhe mbetet i hapur për bashkëpunim komercial me operatorët e tjerë të tregut, duke u ofruar atyre mundësinë që përmbajtjen e plotë të Kupës së Botës ta përfshijnë në platformat e tyre dhe t’ua ofrojnë klientëve të vet sipas modelit që e konsiderojnë të përshtatshëm. Prandaj, pretendimet se qytetarëve të Kosovës u është pamundësuar përcjellja e Kupës së Botës nuk qëndrojnë. Përkundrazi, përmes kombinimit të transmetimeve publike në RTK, qasjes së plotë për klientët e Telekomit dhe mundësisë së hapur për të gjithë përdoruesit e internetit, Telekomi i Kosovës ka krijuar mekanizma që kjo ngjarje të jetë sa më e qasshme për publikun. Telekomi i Kosovës mbetet i përkushtuar që përmes investimeve në përmbajtje sportive, teknologji dhe shërbime të avancuara të krijojë vlerë të shtuar për klientët e vet dhe për qytetarët e Republikës së Kosovës. Oferta jonë mbetet e hapur për individët dhe operatorët e interesuar që dëshirojnë të kenë qasje në përmbajtjen e plotë të Kupës së Botës FIFA 2026.






