Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është thellësisht i shqetësuar me një sërë fyerjesh, sulmesh dhe kërcënimesh ndaj Fidan Jupollit, autor i emisionit satiriko-politik në Klan Kosova, DPT Te Fidani.
Këto sulme po ndodhin pas komenteve dhe emisioneve që lidhen me protestën për ish-krerët e UÇK-së në Prishtinë dhe krizën rreth zgjedhjes së Presidentit.
AGK-ja i dënon fuqishëm këto etikitime dhe e përkrah kolegun Jupolli në ndërmarrjen e veprimeve ligjore për të denoncuar sulmet në drejtim të tij, të cilat e cenojnë edhe integritetin fizik të tij dhe të familjes së tij.
AGK-ja fton akterët politikë dhe përkrahësit e tyre që mospajtimet për çështjet e diskutimit të interesit publik të mos i kalojnë në kërcënime dhe dhunë.
Liria e shprehjes dhe medias është e drejtë themelore e garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.






