Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, mori pjesë sonte në ceremoninë e organizuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, me rastin e shënimit të 250-vjetorit të Pavarësisë së SHBA-së.
Në këtë ngjarje të veçantë, presidenti Ademi ishte i shoqëruar nga nënkryetari i FFK-së, Bakir Burri, anëtari i Komitetit Ekzekutiv, Samir Ujkani, përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, drejtori i Kombëtares, Muharrem Sahiti, si dhe menaxheri i Kombëtares, Bajram Shala.
Me këtë rast, presidenti Ademi theksoi rëndësinë e marrëdhënieve të veçanta ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke vlerësuar mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së për Kosovën dhe partneritetin e ndërtuar mbi vlera të përbashkëta, besim dhe miqësi.
Ai nënvizoi gjithashtu rolin e sportit, e në veçanti të futbollit, si një urë që afron njerëzit dhe forcon lidhjet ndërmjet popujve.
Presidenti Ademi e cilësoi simbolik faktin që Shtetet e Bashkuara po e shënojnë këtë jubile në prag të organizimit të Kupës së Botës FIFA 2026, ku do të jenë njëra nga vendet nikoqire, duke theksuar se kjo ngjarje dëshmon fuqinë e futbollit për të bashkuar kombe, kultura dhe miliona tifozë në mbarë botën.
Në përmbyllje, presidenti i FFK-së uroi Shtetet e Bashkuara të Amerikës për 250-vjetorin e Pavarësisë, duke shprehur mirënjohje për Ambasadën Amerikane për ftesën dhe mikpritjen, si dhe falënderim të veçantë për popullin amerikan për mbështetjen e palëkundur ndaj Kosovës ndër dekada.






