Lidhja Demokratike e Kosovës ka miratuar vendimin e Kryesisë përmes Këshillit të Përgjithshëm që në garën e ardhshme zgjedhore Vjosa Osmani të jetë bartëse e listës dhe kandidate për Presidente, ndërsa Lumir Abdixhiku të jetë kandidat për Kryeministër.
Abdixhiku tha se ky vendim përfaqëson një moment të rëndësishëm për partinë dhe synon një platformë të gjerë politike e zhvillimore.
Ai shtoi se në mbledhje ka mbizotëruar atmosferë bashkëpunimi dhe përpjekje për unifikim të brendshëm.
“Ishte atmosferë pozitive, ishte frymë bashkëpunimi, ishte frymë përbashkimi. Siç e kam thënë, po përpiqemi deri të martën që të bëjmë bashkimin e të gjithë atyre që duan të jenë pjesë e kësaj gare dhe në këtë drejtim s’kemi përjashtime për askënd. Do të kemi një listë përfaqësuese të zgjeruar”.
Sipas Abdixhikut, LDK-ja po hyn në një moment që ai e quajti historik për subjektin politik.
“Pra, është një momentum historik për LDK-në, këtë duhet ta kuptoni. Dhe po përpiqem edhe unë që në këtë momentum t’i afrojmë të gjithë, pavarësisht dallimeve që mund t’i kemi. Kemi një shtëpi të madhe, kemi qëllim shumë të përbashkët, kemi një momentum historik që s’na vjen shpesh dhe besoj që do t’ia dalim me sukses”, thotë ai.
I pyetur për renditjen në listë, Abdixhiku konfirmoi pozicionin e Osmanit si bartëse.
“Zonja Osmani do të jetë bartëse e listës sonë, pra listës së Lidhjes Demokratike të Kosovës, dhe do të jetë e 20-ta në listën përfaqësuese të LDK-së. Ndarja do të jetë proporcionale sa i përket renditjes brenda listës; janë çështje teknike që tash sekretariati i LDK-së i trajton me kohë”, tha ai.






