Presidentja Vjosa Osmani, e pyetur nëse synon një mandat të dytë si presidente, është shprehur se vendimin do ta marrë duke pasur parasysh interesat e Kosovës dhe qytetarëve të saj, raporton Ekonomia Online.
“Nga viti i ardhshëm, do të diskutojmë për këtë çështje. Gjatë gjithë karrierës sime politike, kam punuar gjithmonë duke pasur parasysh interesin e Kosovës dhe qytetarëve të saj. Asnjëherë, asnjë vendim imi politik nuk është bazuar në kalkulime për atë se ku do të jem unë, por vetëm se ku do të jetë Kosova dhe qytetarët e saj.
Edhe këtë herë, vlerësimi se ku mund të kontribuoj do të bëhet vetëm duke pasur parasysh interesin e Kosovës dhe qytetarëve të saj. Asnjëherë në jetën time nuk jam varur nga politika, nuk varem as tani. Do t’u shërbej qytetarëve të Kosovës për aq kohë sa ata dëshirojnë që unë t’u shërbej atyre.”
Këtë deklaratë, presidentja e bëri pas lansimit të nismës për mbështetjen e qasjes në financa së grave ndërmarrëse.