Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka kritikuar qeverisjen e Albin Kurtit, duke thënë se pas gati gjashtë vitesh në pushtet, qytetarët, siç tha ajo, nuk e gjykojnë më kryeministrin për premtimet, por për rezultatet.
Përmes një postimi në Facebook, Bajrami ka renditur një varg premtimesh për të cilat pretendon se Qeveria Kurti nuk i ka realizuar.
“Pyetja nuk është më: Çka po premton Albin Kurti? Pyetja është: Pse nuk i bëri këto që i premtoi që gjashtë vjet?”, ka shkruar ajo.
Sipas Bajramit, Kurti po paraqitet sërish para qytetarëve me premtime të ngjashme me ato të fillimit të mandatit, ndonëse, sipas saj, ka pasur shumicën parlamentare, kontrollin e Qeverisë dhe buxhete të mëdha në dispozicion.
“Pas gjashtë vjetësh në pushtet, qytetarët nuk të gjykojnë më për premtimet, të gjykojnë për rezultatet”, ka deklaruar ajo.
Bajrami ka listuar kritika në fusha të ndryshme, duke përfshirë ekonominë, punësimin, arsimin, shëndetësinë, investimet kapitale, energjinë, luftën kundër korrupsionit, funksionimin e institucioneve dhe politikën e jashtme.
Në fushën e arsimit, Bajrami ka thënë se nuk është realizuar reforma e premtuar, ndërsa në shëndetësi ka përmendur listat e pritjes, mungesën e barnave dhe largimin e profesionistëve shëndetësorë.






