4 ditë deri në seancën konstitutive: Kurti sheh “interesim” për marrëveshje te Abdixhiku që s’dihet a i zotëron votat

- Advertisement -

Katër ditë kanë mbetur nga seanca konsitutive.

Albin Kurti i Vetëvendosjes thotë t’i ketë deri në 62 deputetë duke numëruar pakicat jo-serbe dhe Nenad Rashiqin për të konstituar Kuvendit dhe votuar qeverinë.

Por, fill pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës nis kalendari kushtetues 60 ditor për zgjedhjen e presidentit, dështimi në të cilin e çon vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Lidhja Demokratike e Kosovës, përkatësisht kryetari i rilegjitimuar i saj, Lumir Abdixhiku, e ka quajtur “çmenduri” çfarëdo opsioni që vendin e çon në zgjedhje.

Në dritë me këtë ai edhe ka garantuar “gatishmëri” të subjektit të vet për koalicion me Vetëvendosjen në bazë të një marrëveshje politike që i siguron vendit institucione.

Por, se a i zotëron që të tetëmbëdhjetë votat që i ka LDK-ja në Kuvend, kjo nuk është përcaktuar dhe veçse ka pasur indikacione nga deputetë individualë që “Jo.”

Abdixhiku, megjithatë, nxori deklaratë ku parashikohet ndëshkim, dhe me nënkuptim, edhe largim nga partia të deputetëve që nuk zbatojnë “vendimet e shumicës” së LDK-së, shumicë prej 51% të partisë së vet që e ka.

Albin Kurti i Vetëvendosjes dje për gazetarë tha se “ka vullnet dhe interesim,” që të synohet marrëveshje politike me LDK-në, duke mos dhënë detaje.

Por, se këto ditë, tha ai, do të bëjnë “të gjitha përpjekjet.”

Kjo çështje “do të kuptohet javës së ardhshme.”

“Do të përpiqemi që t’i shfrytëzojmë këto ditë, në mënyrë që të jemi sa më të përgatitur kur fillon seanca për konstituimin e institucioneve të legjislaturës së 11-të. Mirëpo nuk mund ta parashikojmë ende rezultatin, nuk do të mungojnë përpjekjet. Ekziston edhe interesimi, edhe vullneti, edhe gatishmëria, por në javën e ardhshme marrim vesh gjithçka”, tha Kurti.

Lutfi Haziri i LDK-së është treguar më entuziasti ndër partinë e vet për koalicion me Vetëvendosjen, duke u shëtitur nëpër fjali përgjithësuese.

“Këto tri parime neve na bashkojnë si Grup Parlamentar. Kuvendi [i LDK-së] ka kërkuar që kjo e drejtë të ushtrohet deri në fund. Se si do të përmbyllet kjo kërkesë, tani është çështje e negociatave [me LVV-në]”.

“Këto nuk janë çështje të thjeshta, por nëse ka vullnet politik dhe ka gatishmëri [nga LVV-ja], atëherë LDK-ja i përmbyll për 24 orë të gjitha çështjet parimore. Neve [në LDK] nuk na ndan asgjë, ndërkaq ndarja e përgjegjësive është krejt e fundit”, u shpreh Haziri.

Abdixhiku me t’u konfirmuar me shumicë minimale si kryetar i LDK-së njoftoi se heq pauzimin që kishte vendosur nga bisedat me Vetëvendosjen.

“Nga nesër e tutje do të përpiqemi t’i vazhdojmë diskutimet aty ku kanë mbetur. Prej këtij momenti e heq çështjen e pezullimit dhe LDK-ja është e hapur të diskutojë tutje për pozicionet”, tha ai, transmeton Nacionale.

Të ngjashme

Të fundit