Njohësi i çështjeve ekonomike, Lulzim Beqiri vlerëson për “Front Online” se rritja e çmimeve të derivateve po krijon barrë të konsiderueshme si për qytetarët ashtu edhe për bizneset.
Sipas tij, dyshimet e qytetarëve për mënyrën e formimit të çmimeve janë të kuptueshme, duke pasur parasysh rastet e mëhershme.
“Duke pasur parasysh se në të kaluarën disa pronarë të kompanive të derivateve kanë qenë subjekt i hetimeve nga organet e drejtësisë, është normale që qytetarët të kenë dyshime dhe të kërkojnë transparencë kur çmimet rriten pavarësisht lëvizjeve në tregjet ndërkombëtare”, ka deklaruar Beqiri.
Ai thekson se shtrenjtimi i naftës nuk prek vetëm konsumatorët, por ka efekt zinxhir në të gjithë ekonominë.
“Rritja e çmimit të naftës nuk dëmton vetëm qytetarët, por edhe bizneset, sepse rrit kostot e transportit, prodhimit dhe shërbimeve, duke shkaktuar rritje të përgjithshme të çmimeve”, është shprehur ai.
Beqiri konsideron se në këto rrethana Qeveria duhet të shqyrtojë masa të përkohshme fiskale.
“Qeveria të shqyrtonte masa lehtësuese, si uljen e përkohshme të akcizës prej 0.39 euro për litër ose reduktimin e përkohshëm të TVSH-së për derivatet”, ka theksuar Beqiri.





