Liverpool ka vendosur kontaktet me ish-mbrojtësin e Premier League, Fikayo Tomori, ndërsa trajneri Andoni Iraola po përballet me një krizë të madhe lëndimesh në skuadër.
Iraola mori drejtimin e “The Reds” në qershor, duke zëvendësuar Arne Slot, pasi holandezi e mbylli sezonin e kaluar duke siguruar jo bindshëm një vend në Ligën e Kampionëve.
Liverpooli ende nuk ka bërë lëvizje të mëdha në afatin kalimtar veror, pavarësisht sezonit zhgënjyes. Victor Munoz dhe Jeremy Jacquet mbeten afrimet e vetme deri tani, me transferimin e këtij të fundit nga Rennes që ishte dakorduar që në janar.
Nga “Anfield” janë larguar disa prej emrave më të rëndësishëm të skuadrës, përfshirë Mohamed Salah, Ibrahima Konate dhe Andy Robertson.
Largimet e Salah dhe Robertson ishin të pritshme, por vendimi i Konates për t’iu bashkuar Real Madridit ka prishur planet e Liverpoolit në merkato.
Si pasojë, pas Virgil van Dijk dhe Joe Gomez, opsionet e vetme të Liverpoolit në qendër të mbrojtjes janë 21-vjeçari Jeremy Jacquet dhe 19-vjeçari Giovanni Leoni, i cili aktualisht po rikuperohet nga një lëndim i rëndë në gju.
Van Dijk ende nuk i është bashkuar fazës përgatitore pas angazhimit me Holandën në Kupën e Botës, ndërsa Gomez u lëndua në fitoren 4:2 ndaj Sunderland javën e kaluar.
“Lajmi më i keq ishte menjëherë lëndimi i Joe. Ishim të lumtur sepse po e kalonim fazën përgatitore pa humbur asnjë lojtar dhe, për fat të keq, e humbëm Joe menjëherë”, tha Iraola.
Karriera e Gomezit te Liverpooli është shoqëruar vazhdimisht me lëndime dhe problemi i fundit vetëm sa ka shtuar shqetësimet e trajnerit spanjoll.
Sipas Tutto Juve, Liverpooli e di se duhet të përforcohet me zgjuarsi në mbrojtje dhe për këtë arsye ka kontaktuar me Milanin për Fikayo Tomorin, mbrojtësin anglez që shumë e kujtojnë nga koha e tij te Chelsea, para se të transferohej në Serie A në vitin 2021.
Kontrata e Tomorit skadon në vitin 2027 dhe palët po diskutojnë kostot e mundshme të një transferimi. Mbrojtësi ka qenë një nga shtyllat kryesore të Milanit, duke ndihmuar klubin të fitojë titullin e parë në Serie A pas 11 vitesh, në vitin 2022.
Megjithatë, trajneri i ri i Milanit, Ruben Amorim, raportohet se nuk është plotësisht i bindur për Tomorin dhe nuk e përjashton mundësinë e shitjes së tij. Interesim për anglezin ka shfaqur edhe Juventusi.
Aktualisht, Liverpooli ka mungesa të mëdha në qendër të mbrojtjes. Në ndeshjen ndaj Wrexhamit luajtën dy 18-vjeçarët Mor Talla Ndiaye dhe Ife Ndukwe, ndërsa edhe mbrojtësi i djathtë Luke Chambers u aktivizua si qendërmbrojtës.
Ndukwe nuk do të ketë të drejtë të luajë në Premier League këtë sezon, pasi ende nuk i plotëson kushtet për të marrë lejen e punës në Mbretërinë e Bashkuar.
I pyetur për mundësinë e afrimeve të reja në mbrojtje, Iraola u shpreh:
“Jo, për momentin e keni parë edhe në këto ndeshje se jemi shumë të limituar në qendër të mbrojtjes. Ende nuk e kemi Virgilin. Qendërmbrojtësit e vetëm natyralë që kemi tani janë Mor dhe Ife, të dy 18 vjeç, sapo kanë ardhur në klub dhe po bëjnë një punë të jashtëzakonshme.
“Luke Chambers luajti në atë pozitë. Ai nuk është qendërmbrojtës, por bëri një paraqitje shumë të mirë. Do të na duhet të vazhdojmë kështu derisa të rikuperojmë disa lojtarë. Besoj se Jeremy është gati të luajë. Do ta kemi përsëri Virgilin, por jam shumë i kënaqur që ndaj Sunderlandit dhe Wrexhamit, dy skuadrave të mira, me dy qendërmbrojtës 18-vjeçarë, ekipi tregoi qetësi dhe siguri në mbrojtje. Kjo flet shumë mirë për ta”.






