Sipas raportit, Zvicra ndan vendin e parë me Kanadanë, ku të dyja vendet kanë arritur rezultatin më të lartë neto të perceptimit pozitiv, me +36 pikë.
Në studim janë vlerësuar 65 shtete, duke u bazuar në faktorë si stabiliteti i brendshëm, cilësia e jetës, pozicionimi diplomatik dhe hapja e shoqërisë ndaj botës.
Zvicra ka marrë vlerësime të larta në të gjitha kategoritë, duke u renditur si vendi që projekton imazhin më të mirë në arenën ndërkombëtare.
Pas Zvicrës dhe Kanadasë renditen Japonia me +34 pikë dhe Suedia me +33, transmeton tutje albinfo.ch.
Raporti tregon gjithashtu se më shumë se dy të tretat e 15 vendeve më të vlerësuara ndodhen në Evropë. Mesatarja e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian është rreth +26 pikë, megjithëse Franca dhe Mbretëria e Bashkuar renditen më poshtë, me nga +11 pikë secila.
Në anën tjetër të listës, Shtetet e Bashkuara renditen ndër pesë vendet me perceptimin më negativ, me një rezultat prej -16 pikësh. Izraeli mban vendin e fundit me -24 pikë, i ndjekur nga Afganistani dhe Koreja e Veriut me nga -19 pikë.
Rezultatet konfirmojnë edhe një herë reputacionin e Zvicrës si një nga vendet më të qëndrueshme, më të sigurta dhe më të respektuara në botë. /Albinfo.ch







