Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka pritur sot në takim ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Georg Schnetzer, me të cilin ka diskutuar për bashkëpunimin në fushën e sportit dhe ndeshjet e ardhshme ndërmjet Kosovës dhe Austrisë, shkruan Scanner.
Sipas Ademit, fokus i bisedimeve kanë qenë përballjet e dy kombëtareve në kuadër të UEFA Nations League, si dhe ndeshjet e Kombëtares së Kosovës në konkurrencën e vajzave, e cila në tetor do të përballet me Austrinë në fazën “Play-Off” për kualifikim në Kampionatin Botëror 2027.
Palët janë dakorduar edhe për organizimin e aktiviteteve të përbashkëta promovuese për këto ndeshje, me qëllim afrimin e tifozëve me ekipet kombëtare dhe krijimin e një atmosfere sa më të veçantë sportive.
Ademi theksoi se takimi rikonfirmoi raportet e mira ndërmjet Kosovës dhe Austrisë, si dhe gatishmërinë për zgjerimin e bashkëpunimit në projekte të reja që kontribuojnë në zhvillimin e sportit.
Postimi i plotë:
Sot pata kënaqësinë të mirëpres në Federatën e Futbollit të Kosovës Ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Georg Schnetzer, në një takim miqësor dhe shumë konstruktiv.
Gjatë takimit biseduam për bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet dy vendeve tona në fushën e sportit, me fokus të veçantë në përballjet e ardhshme ndërmjet Kosovës dhe Austrisë.
Në qendër të diskutimeve ishin ndeshjet e Kombëtares së Kosovës dhe Kombëtares së Austrisë në kuadër të UEFA Nations League, të cilat do të zhvillohen gjatë muajve shtator dhe tetor, si dhe për ndeshjet e rëndësishme të Kombëtares së Kosovës në konkurrencën e vajzave, e cila në muajin tetor do të përballet me Austrinë në fazën “Play-Off” për kualifikim në Kampionatin Botëror 2027.
Në frymën e miqësisë dhe bashkëpunimit të ndërsjellë, u dakorduam që të organizojmë aktivitete të përbashkëta promovuese për këto ndeshje, me synim afrimin e tifozëve me ekipet kombëtare dhe krijimin e një atmosfere sa më të veçantë sportive.
Ky takim rikonfirmoi edhe një herë raportet shumë të mira ndërmjet Kosovës dhe Austrisë, si dhe gatishmërinë tonë të përbashkët për të zgjeruar bashkëpunimin në projekte të reja që i shërbejnë zhvillimit të sportit dhe forcimit të lidhjeve ndërmjet dy vendeve tona.
#mefutbollinpërkosovën






