Për këtë muaj, fondet zvicerane të pensioneve AHV do të shpërndajnë gjithsej 9.28 miliardë franga, duke përfshirë pensionet e zakonshme dhe pagesën shtesë
Rreth 2.7 milionë pensionistë në Zvicër dhe jashtë saj do të përfitojnë për herë të parë pensionin e 13-të gjatë muajit dhjetor 2026. Për këtë muaj, fondet zvicerane të pensioneve AHV do të shpërndajnë gjithsej 9.28 miliardë franga, duke përfshirë pensionet e zakonshme dhe pagesën shtesë.
Lajmi është bërë i ditur të martën, më 3 nëntor, në Bernë, nga përfaqësuesit e Zyrës Federale të Sigurimeve Shoqërore (BSV) dhe 74 fondeve të kompensimit të pensioneve AHV, shkruan swissinfo.ch, transmeton albinfo.ch.
Sipas autoriteteve, të gjitha përgatitjet administrative dhe teknike janë kryer për të siguruar që pensionistët t’i marrin pagesat në kohë dhe në shumën e duhur.
Pensioni i 13-të do të llogaritet në bazë të shumës së përgjithshme të pensioneve të pleqërisë që secili përfitues ka marrë gjatë vitit 2026. Konkretisht, pagesa shtesë do të jetë e barabartë me një të dymbëdhjetën e kësaj shume. Kjo nënkupton se pensionistët nuk do të marrin domosdoshmërisht të njëjtën shumë, pasi përfitimi varet nga pensioni individual dhe periudha gjatë së cilës është marrë ai.
Sipas vlerësimeve zyrtare, pensioni i 13-të do të jetë mesatarisht rreth 1,580 franga zvicerane për person.
Një aspekt i rëndësishëm është se nga kjo pagesë do të përfitojnë edhe pensionistët që jetojnë jashtë Zvicrës. Nga rreth 2.7 milionë përfitues, afërsisht 830 mijë janë rezidentë në vende të tjera.
Autoritetet kanë sqaruar se pensioni i 13-të do të paguhet automatikisht dhe qytetarët nuk kanë nevojë të paraqesin kërkesë të veçantë. Në varësi të fondit përkatës, përfituesit mund ta marrin shumën shtesë së bashku me pensionin e dhjetorit ose përmes dy pagesave të ndara.
Pagesa e re është rezultat i vendimit të qytetarëve zviceranë për të mbështetur pensionin e 13-të, me qëllim përmirësimin e të ardhurave të pensionistëve dhe lehtësimin e barrës së shpenzimeve të jetesës.
Ndërkohë, çështja e financimit afatgjatë mbetet në diskutim. Më 29 nëntor 2026, qytetarët zviceranë pritet të votojnë për propozimin që tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSH) të rritet me 0.4 pikë përqindjeje nga viti 2028, për të siguruar financimin e pensionit shtesë.






