“Kanë kaluar pothuajse katër vjet që nga dorëzimi i aplikimit tonë. Gjatë gjithë kësaj kohe, nuk kemi dëgjuar askënd në këtë sallë të kërkojë që aplikimi ynë të ecë përpara”, tha Zulfaj aty ndër të tjera.
Gjithashtu, ai u ankua se pse po ia kërkojnë atij t’i bindë të gjithë ata “se Kosova meriton të ecë përpara”.
“Zgjerimi është instrumenti më efektiv i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, sepse e transformon një vend aspirant sipas vlerave, standardeve dhe modelit të vetë Unionit. Prandaj, në thelb, avancimi drejt Bashkimit Evropian përmes një procesi të bazuar në merita është po aq në interesin e BE-së sa edhe në interesin e vendit aspirant. E megjithatë, progresi i Kosovës dhe vullneti i qytetarëve tanë për t’iu bashkuar Bashkimit Evropian vazhdojnë të shpërfillen”, tha ai.
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE në vitin 2022, por që nga atëherë s’ka lëvizur asnjë hap para.
Zulfaj në këtë tavolinë e përmendi edhe prezencën e ministrit të Serbisë për Integrime Evropiane, për qeverinë e të cilit tha se dje e priti “me nderime ushtarake trupin e një personi të dënuar për gjenocid, krimin më të rëndë që njeh njerëzimi, dhe synon që këtë fundjavë ta varrosë atë me nderime shtetërore”.
“Kjo është e gabuar. Dhe, do të jetë njollë mbi ndërgjegjen tonë nëse nuk themi asgjë!”.
Postimi i plotë i tij:
I nderuar Ministër Byrne,
E nderuar Komisionere Kos,
Kolegë të nderuar,
Ju faleminderit për ftesën.
Tri ditë më parë, Qeveria jonë u përafrua me 55 vendimet më të fundit të Këshillit të BE-së dhe me deklaratat e Përfaqësueses së Lartë në emër të Bashkimit Evropian, duke e ruajtur kështu shkallën e plotë, 100 për qind, të përputhshmërisë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë.
I jemi bashkuar sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Federatës Ruse për luftën e saj agresive kundër Ukrainës, ndërsa vazhdojmë ta avancojmë demokracinë, t’i fuqizojmë institucionet e sundimit të ligjit dhe ta përmirësojmë sigurinë.
Anëtarësimi në Bashkimin Evropian është vullnetar. Është për ata që e duan. Qytetarët tanë e duan dhe këtë e dëshmojnë vazhdimisht. Kosova ka ndër nivelet më të larta të mbështetjes qytetare për anëtarësim në rajon.
Dhe, si një vend që ndanë dhe respekton vlerat themelore të Unionit, të mishëruara në nenin 2 të Traktatit për Bashkimin Evropian, Kosova e ka natyrshëm vendin e saj në familjen evropiane.
Kur dorëzuam aplikimin tonë për anëtarësim në Pragë, më 15 dhjetor 2022, thamë qartë se Kosova nuk kërkon as rrugë të tërthortë dhe as procedurë të përshpejtuar. Ne duam ta ndërtojmë Bashkimin Evropian brenda vendit tonë.
Dhe besojmë se pikërisht procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian është ai që e bën vendin tonë më të mirë.
E dimë se procesi i anëtarësimit, puna në secilin kapitull, i fuqizon institucionet e sundimit të ligjit, e përmirëson drejtësinë, i mbron të drejtat, ndihmon që ajri dhe uji të jenë më të pastra dhe e bën sektorin e energjisë më të qëndrueshëm.
Zgjerimi është instrumenti më efektiv i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, sepse e transformon një vend aspirant sipas vlerave, standardeve dhe modelit të vetë Unionit.
Prandaj, në thelb, avancimi drejt Bashkimit Evropian përmes një procesi të bazuar në merita është po aq në interesin e BE-së sa edhe në interesin e vendit aspirant.
E megjithatë, progresi i Kosovës dhe vullneti i qytetarëve tanë për t’iu bashkuar Bashkimit Evropian vazhdojnë të shpërfillen.
Kanë kaluar pothuajse katër vjet që nga dorëzimi i aplikimit tonë. Gjatë gjithë kësaj kohe, nuk kemi dëgjuar askënd në këtë sallë të kërkojë që aplikimi ynë të ecë përpara.
Sa herë po e ngris këtë çështje, po më thuhet se duhet t’ju bind të gjithë juve se Kosova meriton të ecë përpara.
Por a nuk është pikërisht ky edhe roli i Komisionit, i Këshillit dhe i Parlamentit Evropian?
Unë besoj se po.
Sepse është në interesin e Bashkimit Evropian që të mos lejojë akterët keqdashës të fitojnë terren në kontinentin e tij. Mosveprimi përballë kësaj përbënë tërheqje nga përgjegjësitë themelore të vetë Unionit.
Për një çerek shekulli, Kosova ka ndërtuar një marrëdhënie me Bashkimin Evropian, një marrëdhënie që është edhe kontraktuale, mbi premisën se një ditë do të bëhet anëtare e tij. Ky premtim ka qenë shtysë për reforma dhe ka nxitur qytetarët të përkushtohen dhe t’u kërkojnë llogari qeverive të tyre për zbatimin e reformave.
Bashkimi Evropian është një projekt paqeje për Evropën. Asnjë shtet nuk ka monopol mbi të, sepse është një projekt i përbashkët.
Ata që përpiqen ta përdorin fuqinë e këtij projekti për t’u vendosur kushte të tjerëve jashtë një procesi të bazuar në merita, duhet të kujtojnë se dikur edhe vetë kanë qenë jashtë tij, duke pritur të hyjnë, dhe se kanë përfituar jashtëzakonisht shumë nga solidariteti që iu është treguar.
Qytetarët e Kosovës presin që edhe Bashkimi Evropian të bëjë pjesën e vet. Këtë vjeshtë, Komisioni Evropian duhet të ftohet të përgatisë Opinionin për aplikimin tonë dhe të lejohet që procesi të vazhdojë mbi bazën e meritës.
Së fundi, duke pasur parasysh ngjarjet e djeshme, e ndiej për obligim të shtoj edhe diçka.
Sot, mes nesh, ndodhet Ministri i Serbisë për Integrime Evropiane, qeveria e së cilit dje e priti me nderime ushtarake trupin e një personi të dënuar për gjenocid, krimin më të rëndë që njeh njerëzimi, dhe synon që këtë fundjavë ta varrosë atë me nderime shtetërore.
Kjo është e gabuar. Dhe, do të jetë njollë mbi ndërgjegjen tonë nëse nuk themi asgjë!
Ju faleminderit për vëmendjen dhe për mundësinë.






