Zhegrova mund të përfundojë në Arabinë Saudite

- Advertisement -

E ardhmja e Edon Zhegrovës mund të jetë larg Juventusit, me klubin saudit Al Ittihad që po shqyrton mundësinë e transferimit të yllit kosovar.

Sipas gazetarit të njohur Fabrizio Romano, Zhegrova do të ishte i hapur për t’u transferuar tek Al Ittihad dhe madje është i tunduar nga mundësia për t’iu bashkuar skuadrës arabe.

Romano raporton se futbollisti kosovar është pjesë e një liste prej tre lojtarësh që Al Ittihad po e shqyrton për përforcimin e krahut të sulmit.

Ndërkohë, Romano raporton se Zhegrova i ka mbyllur dyert ndaj një transferimi tek Atalanta. Megjithatë, Al Ittihad shihet si një mundësi që e tërheq veçanërisht 27-vjeçarin.

Zhegrova iu bashkua Juventusit në verën e vitit 2025, pas aventurës te Lille, por sezoni i tij i parë në Torino nuk shkoi sipas pritshmërive. Ai pati vështirësi për të siguruar një vend të rregullt në formacion dhe aktualisht e ardhmja e tij te “Zonja e Vjetër” mbetet në pikëpyetje.

Në ditët e fundit të merkatos, emri i Zhegrovës është lidhur edhe me klube të tjera. Lazio po e konsideron kosovarin si një opsion për krahun e sulmit, në rast të largimit të Matteo Cancellierit.

Tashmë, një aventurë në Arabinë Saudite duket gjithnjë e më shumë si një mundësi reale për yllin e Kosovës, me Al Ittihad që e ka vendosur atë në mesin e objektivave kryesorë për repartin ofensiv.

Të ngjashme

Të fundit