Ish-ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj, ka vlerësuar në emisionin Rubikon se uniteti politik i shqiptarëve në Luginën e Preshevës është zhvillimi më i rëndësishëm në kuadër të zgjedhjeve në Serbi.
Haradinaj ka thënë se bashkimi politik i shqiptarëve shmang fragmentimin e votës dhe krijon mundësi më të mëdha për përfaqësimin e interesave të tyre dhe ushtrimin e të drejtave brenda Serbisë.
“Kryefjala e analizës sonë kundrejt zhvillimeve në Serbi është uniteti politik i shqiptarëve. Kjo është më e mira që ka mundur të ndodhë në këto zgjedhje. Kam qenë edhe vetë e angazhuar, si ish-ministre, bashkë me ish-ministrin Gent Cakaj, në vitin 2020, kur u arrit marrëveshja për veprim të përbashkët për Luginën e Preshevës, ku u fituan tri mandate aso kohe, me gati 30 mijë vota. U kapitalizua uniteti politik, u shmang fragmentimi, por edhe u forcua mesazhi politik dhe ajo që do të mund të kapitalizohej si ushtrim i të drejtave të tyre brenda Serbisë”, tha Haradinaj.
Për më tepër, Haradinaj ka vlerësuar Qeverinë e Kosovës, për siç ka thënë, “se është angazhuar e ka ndihmuar që të arrihet një unitet i tillë i jashtëzakonshëm”.






