Zemaj: Çdo shtyrje përtej afatit 30-ditor e fut Kosovën në krizë kushtetuese

- Advertisement -

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka deklaruar se Kuvendi i Kosovës duhet të konstituohet brenda afatit prej 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve zgjedhore, duke përfshirë zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.

Zemaj ka thënë se çdo interpretim tjetër apo shtyrje përtej këtij afati mund ta çojë vendin në krizë kushtetuese.

“Brenda 30 ditëve duhet që Kuvendi i Kosovës të jetë i konstituar, që nënkupton zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Çdo interpretim tjetër na fut në krizë kushtetuese, ose çdo shtyrje nga 30-ditëshi që nga data e certifikimit të rezultatit zgjedhor”, ka deklaruar Zemaj.

Ai ka thënë se, sipas interpretimit të tij, afati kushtetues përfundon gjatë ditës së sotme dhe ka shprehur shpresën se mund të ketë një lëvizje pozitive për arritjen e një marrëveshjeje politike.

“E gjithë koha kushtetuese është në ditën e sotme sipas interpretimit dhe gjykimit tim. Nëse hyjmë në një fazë tjetër që nuk ka interpretim shtesë të vendimit të Kushtetueses ose nuk ka edhe sanksion, shpresoj dhe besoj që brenda ditës së sotme mund të ketë ndonjë lëvizje pozitive”, tha ai.

I pyetur nëse LDK-ja është pjesë e një skenari për ndërprerjen e seancës konstituive të Kuvendit, Zemaj tha se partia e tij nuk ka qenë e informuar për një gjë të tillë.

“Jo, ne nuk kemi qenë as të njoftuar, nuk kemi qenë as të informuar. Krejt çka ka rrjedhur e patët edhe vetë nga seanca kuvendore, ku ishte e pritshme vetëm deklarimi i emrit, sepse nuk ka edhe debat në seancën konstituive”, tha Zemaj.

Ai ka theksuar se kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, po kërkon shtyrje përtej asaj që përcakton Kushtetuta.

“Ky është Albin Kurti, ai di edhe të debatojë, edhe të hapë fushata elektorale, edhe të kërkojë shtesë duke menduar që është edhe i vetmi mbi Kushtetutën edhe mbi vullnetin politik të dalë nga zgjedhjet e fundit”, ka deklaruar deputeti i LDK-së.

Të ngjashme

Të fundit