Zekaj: Opozita s’duhet të bjerë në presionin e partisë në pushtet dhe të hyjë në fuqi ligji me defekte

- Advertisement -

Në emisionin “Tempus” në T7 është diskutuar lidhur me Projektligjin për Byronë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe sfidat që ndërlidhen me pavarësinë e këtij mekanizmi.

Avokati Yll Zekaj ka theksuar se opozita nuk duhet të bjerë në presionin e partisë në pushtet, sidomos në një kontekst politik ku mund të ketë zgjedhje.

“Opozita s’duhet të bjerë në presionin e partisë në pushtet për shkak të populizmit, pasi që tani mund të kemi edhe zgjedhje dhe të kalohen procedurat dhe të hyjë në fuqi ligji me defekte”, ka deklaruar Zekaj, raporton Betimi për Drejtësi, përcjell Gazeta Express.

Ai ka nënvizuar se problemi kryesor i këtij projektligji lidhet me mungesën e garancive për pavarësi institucionale.

“Problemi më i madh i ligjit është pavarësia e tij dhe nuk duhet të anashkalohet kjo çështje”, ka shtuar ai.

Sipas Zekajt, struktura e komisionit mbikëqyrës paraqet rrezik për ndikim politik.

“Kemi një komision mbikëqyrës i cili përbëhet prej 5 anëtarëve, të cilët partia në pushtet secilin prej tyre mund ta ketë person të kapur politikisht”, ka thënë Zekaj.

Ai ka sqaruar se përbërja e këtij komisioni përfshin drejtorin e agjencisë përkatëse, përfaqësues nga njësitë e inteligjencës, si dhe tre anëtarë të zgjedhur nga Kuvendi i Kosovës me shumicë të thjeshtë.

“Në këtë mënyrë, potencialisht partia në pushtet mund ta kapë komplet komisionin për mbikëqyrjen e byrosë”, ka theksuar ai.

Po ashtu, ai ka kritikuar edhe kohëzgjatjen e mandatit të drejtorit.

“Drejtorit i është lënë 7 vjet mandat, që edhe nëse humben zgjedhjet, prapë të kenë kontroll mbi të”, ka deklaruar Zekaj.

 

Të ngjashme

Të fundit