Biznesmeni Ramiz Kelmendi ka kërkuar heqjen e përkohshme të TVSH-së dhe akcizës për naftën, duke vlerësuar se Qeveria e Kosovës tashmë ka krijuar të hyra të mjaftueshme nga rritja e çmimit të derivateve.
Kelmendi tha në Rubikon të Klan Kosovës se shteti nuk do të dëmtohej nëse do të hiqeshin përkohësisht këto ngarkesa fiskale, pasi buxheti është planifikuar mbi bazën e një çmimi shumë më të ulët të karburantit.
“Menjëherë është dashur të largohej, sepse qeveria ka krijuar të hyra të mjaftueshme për çmimin ta zëmë 1 euro. Në momentin që bëhet 1.80 euro qeveria i ka dyfishuar të hyrat e veta”, ka deklaruar Kelmendi.
Ai shtoi se qeveria duhet t’i mbajë të hyrat që i ka planifikuar mbi bazën e çmimit para fillimit të luftës në Iran, ndërsa pjesën tjetër ta lirojë përmes heqjes së TVSH-së, akcizës apo lehtësimeve të tjera, në mënyrë që qytetarët dhe të punësuarit të mos përballen me kosto të lartë për shkuarje-ardhje në punë.
Kelmendi e lidhi këtë edhe me rritjen e pagës minimale, duke thënë se efekti i saj po zbehet nga rritja e çmimeve të karburanteve.
“Rroga minimale e rritur, që është hap i mirë, i bie se shteti po ia merr qytetarit atë që e ka rritur. Po ia merr dhe po i dyfishon të hyrat e veta pa nevojë”, ka thënë ai.
Sipas Kelmendit, logjika buxhetore është e qartë: nëse shteti e ka ndërtuar planifikimin e vet mbi një çmim më të ulët të naftës, atëherë nuk humb asgjë nëse heq përkohësisht barrën shtesë fiskale të krijuar nga rritja e çmimeve në treg.
“Është çështje logjike, nuk humb shteti. Asnjëherë nuk propozoj veprime që e dëmtojnë buxhetin, nga i cili varen të gjithë të punësuarit”, u shpreh Kelmendi.






