Xhelal Sveçla shpallet fajtor për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend

- Advertisement -

Këtë të mërkurë, është shpallur aktgjykimi ndaj ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili akuzohet për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtor ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend më 2018.

Shkalla e dënimit do të shpallet pas seancës së paraparë më 8 shtator.

I akuzuari Sveçla mungoi në seancë, ndërkaq i pranishëm ishte avokati i tij, Laur Prenaj, i cili para mediave tha se vendimi, sipas tij, “është praktik e pazakontë”.

“Kjo është pazakontë në praktik, por megjithatë ne do e presim vendimin e arsyetuar për të dhënë komente të mëtutjeshme. Ne patjetër që do ta shfrytëzojmë të drejtën e ankesës, deri atëherë nuk kemi çfarë të komentojmë tjetër”, tha ai.

Sveçla u shpall fajtor për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Ndërkaq, për veprën “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, gjykata ka marrë aktgjykim refuzues për shkak të parashkrimit.

Procedura ndaj Sveçlës ishte veçuar nga ajo ndaj të akuzuarve të tjerë.

Sipas aktakuzës së ndryshuar, Xhelal Sveçla më 21 mars 2018, nga ora 12:10 deri në orën 15:40, në sallën e seancave plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës, gjatë mbajtjes së një seance të jashtëzakonshme plenare, ngarkohej se ka përdorur bombolën e gazit lotsjellës me përmbajtje të agjentit kimik CS.

Sipas Prokurorisë, Sveçla në disa raste e ka aktivizuar bombolën dhe e ka hedhur brenda sallës së Kuvendit, pa paralajmërim paraprak dhe pa u dhënë personave të pranishëm mundësinë për t’u larguar.

Si pasojë, sipas aktakuzës, gazi irritues është përhapur në hapësirat e mbyllura të sallës, duke bërë që personat e pranishëm, nga frika për shëndetin dhe sigurinë e tyre, të detyroheshin ta lëshonin sallën dhe seanca të ndërpritej.

Prokurori Namani ka bërë të ditur se Sveçla akuzohet për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, nga neni 375, paragrafi 2 i Kodit Penal të vitit 2012.

Ndërkohë, Prokuroria ka hequr dorë nga ndjekja penale për veprën “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, për shkak të parashkrimit të kësaj vepre. Pjesa tjetër e aktakuzës ka mbetur e pandryshuar.

 

Të ngjashme

Të fundit