Ish-kandidati për deputet në listën e LDK-së, Visar Xani ka komentuar deklaratat e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, pas takimit me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ku Kurti tha se synon zgjedhjen e një presidenti konsensual.
Në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, Xani tha se, sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje ka synuar t’i mbajë për vete pozitat kryesore institucionale, ndërsa partitë e tjera po kërkojnë të jenë pjesë e vendimmarrjes.
“Partia e parë po lufton t’i mbajë të gjitha për vete, ndërsa partitë e tjera po kërkojnë të marrin një pjesë dhe të ndihen të përfaqësuara”, u shpreh Xani.
Gjatë debatit me analistin Valon Pozhari, i cili argumentoi se Vetëvendosje nuk po kërkon t’i marrë të gjitha institucionet për vete, Xani rikujtoi propozimin e mëhershëm të Kurtit për Glauk Konjufcën si kandidat për president.
“Si nuk po i do të gjitha për vete? Glauk Konjufca, që u propozua më herët për president, i kujt ishte? Kjo tregon se në mënyrë absolute është synuar që gjithçka të mbahet nën kontroll. Propozimet e tjera nuk kanë qenë serioze, por më shumë një kamuflim për të krijuar një arsye shtesë në rast të shkuarjes në zgjedhje”, tha ai.
Sipas Xanit, Kurti nuk do ta propozojë për president një person mbi të cilin nuk mund të ushtrojë ndikim.
“Zoti Kurti mund të na çojë edhe 500 herë në zgjedhje, por nuk do ta propozojë një president që nuk e ka nën kontroll dhe mbi të cilin nuk mund të ndikojë”, deklaroi Xani.






