Vuçiq vazhdon propagandën për “rrezikun” ndaj serbëve në Kosovë, përmend edhe Kurtin

- Advertisement -

Beogradi po vazhdon fushatën e tij politike dhe diplomatike për ta paraqitur situatën në Kosovë si kërcënim për serbët.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka vazhduar me deklaratat e tij përmes të cilave pretendon se serbët dhe të krishterët në Kosovë janë të rrezikuar, duke kërkuar nga Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja që të ndërhyjnë lidhur me, siç pretendon ai, situatën në veri të vendit.

Në një intervistë për Breitbart News, Vuçiq tha se “ka frikë” për atë që, sipas tij, mund t’u ndodhë serbëve dhe të krishterëve në Kosovë pas ndryshimit të masave të sigurisë në Urën e Ibrit në Mitrovicë, transmeton KosovaPress.

“Kam frikë dhe të gjithë kanë frikë”, deklaroi Vuçiq, duke pretenduar se hapja e urës për qarkullim të automjeteve mund të rrezikojë popullsinë serbe në veri.

Megjithatë, deklaratat e presidentit serb paraqesin një tjetër përpjekje për ta paraqitur Kosovën si një vend ku komuniteti serb dhe ai ortodoks janë nën kërcënim, pa ofruar prova konkrete për pretendime të tilla.

KFOR-i ka njoftuar se po ndryshon mënyrën e pranisë së përhershme në Urën e Ibrit, duke ia lënë përgjegjësitë e përditshme të sigurisë Policisë së Kosovës, ndërsa ka theksuar se do të vazhdojë të ketë prani në veri.

Ndërkohë që Policia e Kosovës ka siguruar se do të jetë aty për sigurinë e të gjithë qytetarëve të Kosovës, pas asnjë dallim, as etnie e as fetare.

Vuçiq, ndërkohë, ka pretenduar se situata mund të përshkallëzohet dhe ka thënë se do t’u kërkojë ndihmë liderëve amerikanë dhe evropianë.

Ai ka përmendur edhe Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, si një prej zyrtarëve me të cilët ka komunikuar lidhur me këtë çështje.

Ai po ashtu ka akuzuar sërish kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, duke e paraqitur atë si “faktor destabilizues në veri të Kosovës” në përpjekje për të fajësuar Kosovën për veprimet e fundit në veri të vendit ku janë rrënuar disa objekte pa leje, sikurse ndodhi edhe në disa pejsë tjera të vendit.

Pretendime të ngjashme janë përsëritur vazhdimisht nga Beogradi, ndërsa politika e Serbisë ndaj Kosovës shpesh shoqërohet me narrativën se komuniteti serb në Kosovë është vazhdimisht nën kërcënim.

Ndërkohë, institucionet e Kosovës kanë deklaruar në vazhdimësi se veprimet e tyre në veri kanë për qëllim vendosjen e rendit dhe ligjshmërisë.

Të ngjashme

Të fundit