1.7 C
New York
Wednesday, February 5, 2025

Buy now

Votat e para të diasporës në Kosovë, Elezi: Fillimisht do t’i nënshtrohen procesit të vlerësimit

- Advertisement -

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka bërë të ditur se gjatë mbrëmjes së sotme, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve janë sjellë 36 mijë e 500 pako me fletëvotime të cilat siç tha ai, i takojnë procesit të votimit përmes postës në kutitë postare të KQZ-së jashtë Kosovës, nga Gjermania dhe Zvicra.

Elezi për Klankosova.tv tha se fillimisht këto pako me fletëvotime i nënshtrohen procesit të vlerësimit.

“Sipas procedurave, fillimisht këto pako me fletëvotime i nënshtrohen procesit të vlerësimit, i cili përfshinë verifikimin nëse ato u takojnë votuesve të regjistruar dhe nëse janë ndjekur procedurat tjera të parapara, ndërkaq numërimi i këtyre fletëvotimeve do të bëhet në një fazë të mëvonshme në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, pas ditës së zgjedhjeve”, deklaroi ai.

Zëdhënësi i KQZ-së gjithashtu tha se procesi i vlerësimit të dërgesave postare do të mund të vëzhgohet nga vëzhgues të akredituar nga KQZ-ja, të cilët siç tha ai, do të njoftohen me kohë.

“Aktualisht, është duke u zhvilluar periudha e votimit përmes postës, e cila vlen vetëm për shtetasit që gjatë regjistrimit si votues jashtë Kosovës janë përcaktuar individualisht për mënyrën e votimit (1) duke dërguar fletëvotimin përmes postës në një nga kutitë postare të hapura nga KQZ jashtë Kosovës, apo (2) duke dërguar fletëvotimin përmes postës në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë. Kjo periudhë votimi ka filluar më 9 janar dhe do të përfundojë më 8 shkurt 2025”, tha tutje Elezi.

Në vend se të barten nga operatorë të profilizuar, fletvotimet e diasporës janë nisur të shtunën nga Cyrihu për Prishtinë, me një minibus me targa diplomatike të Shqipërisë.

KQZ, në një njoftim për media të djeshëm, tha se tërheqja e dërgesave postare nga kutitë postare të Komisionit, si dhe dërgimi i materialeve zgjedhore në përfaqësi diplomatike, do të bëhet përmes rrugëve tokësore nga zyrtarët e KQZ-së, me ndihmën e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

MPJD, sipas KQZ-së, “ka siguruar automjetet transportuese, të cilat do të drejtohen nga zyrtarët e saj”.

Ky vendim për këtë mënyrë transportimi, sipas KQZ-së, është marrë pasi procedura tenderuese për shërbimet postare është në fazën e ankesave, gjë që e ka bërë të pamundur nënshkrimin e kontratës me operatorin ekonomik fitues.

Të ngjashme

122,026FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit