25.8 C
New York
Saturday, September 12, 2026

Buy now

VV i bie pishman për lojërat e bëra, del me vendim që të votoj Vlora Çitakun dhe Kujtim Shalën për nënkryetarë të Kuvendit

- Advertisement -

Lëvizja Vetëvendosje ka zhvilluar mbrëmjen e sotme një mbledhje të jashtëzakonshme të Kryesisë, ku është marrë vendimi që në vazhdimin e seancës konstituive të ditës së nesëm, e caktuar për orën 10:00, deputetët e këtij subjekti të votojnë kandidatët e PDK-së dhe LDK-së për nënkryetarë të Kuvendit, Vlora Çitakun dhe Kujtim Shalën.

Ky hap vjen pas konstatimit se vendi ndodhet në momente vendimtare për të siguruar stabilitet institucional dhe për të shmangur një palë zgjedhje të reja të parakohshme, të cilat do të ishin të katërtat në më pak se dy vjet, duke u cilësuar si të panevojshme për qytetarët dhe të kushtueshme për buxhetin e shtetit, transmeton lajmi.net.

Sipas njoftimit të partisë, ndonëse në të kaluarën subjekti fitues u desh të ndryshonte katër herë emrin e kandidatit për kryetar kuvendi për të zbatuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese — duke kaluar nga Albulena Haxhiu te Donika Gërvalla, Hekuran Murati, e deri te zgjedhja e Dimal Bashës më 26 gusht — kësaj radhe LVV ka vendosur të mos kushtëzojë procesin.

Kryesia e LVV-së ka theksuar se do t’i votojë Çitakun dhe Shalën edhe pa pasur nevojë për ndryshim emrash, duke shpresuar që ky akt i vullnetit të mirë të reflektojë te opozita me konstruktivitet, sidomos në fazën e ardhshme kur do të votohet për presidentin e vendit, qoftë përmes votës pro apo kundër, për të mos dërguar sërish institucionet drejt bllokadës dhe zgjedhjeve të reja.

Njoftimi i plotë:
Kryesia e Lëvizjes VETËVENDOSJE! ka mbajtur sonte mbledhje të jashtëzakonshme.
U konstatua që ndodhemi në momentet vendimtare për t’i dhënë vendit stabilitet institucional pas zgjedhjeve të 7 qershorit dhe për të parandaluar edhe një palë zgjedhje të reja, të panevojshme për shtetin e qytetarët dhe të kushtueshme për buxhetin e të ardhmen. Zgjedhjet e parakohshme të përsëritura do të ishin të katërtat në më pak se dy vjet!
Vazhdimi i seancës konstituive është caktuar për nesër në orën 10:00. Ne kemi qenë dhe jemi të gatshëm që të votojmë për nënkryetar kuvendi nga radhët e PDK-së dhe LDK-së dikë që nuk e bojkoton zgjedhjen e presidentit e asisoj na dërgon në përsëritje të zgjedhjeve.
Megjithëkëtë, kryesia e LVV mori vendim që nesër të votojmë kandidatët e PDK-së dhe LDK-së, Vlora Çitaku dhe Kujtim Shala. Presim që pas konstituimit të kuvendit ky hap i vullnetit të mirë të reflektojë në konstruktivitet të tyre duke votuar për president, qoftë ajo edhe votë kundër.
Në vitin 2025 ne si subjekt fitues me partnerët e koalicionit parazgjedhor dhe deputetë të pakicave i kishim 57 deputetë. Pra vetëm katër deputetë mangu, e duke e zbatuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, plot katër herë e ndryshuam emrin e kandidatit tonë për kryetar kuvendi para se të zgjidhej Dimal Basha me 26 gusht, pesë muaj pas çertifikimit të rezultatit të zgjedhjeve të 9 shkurtit. Refuzimi i partive opozitare për Albulena Haxhiun asokohe u pasua edhe me refuzim të Donika Gërvallës, Hekuran Muratit e Arbërie Nagavcit.
E pra, ne kemi vendosur t’i votojmë Vlora Çitakun e Kujtim Shalën, edhe nëse nuk i ndërrojnë emrat e kandidatëve qysh bëmë ne.
Nesër në mëngjes deputetët e PDK-së porsa ta ripropozojnë Vlora Çitakun (e cila edhe ashtu i ka edhe dy mundësi), ne do ta votojmë.
Gjithashtu, shpresojmë që edhe deputeti Kujtim Shala, nënkryetar i ardhshëm i kuvendit, të marrë pjesë në seancën kur do të votohet për Bekim Sejdiun president sipas marrëveshjes LVV-LDK./lajmi.net/

Të ngjashme

Të fundit