Kryeministri Albin Kurti, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, dhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, kanë vizituar të enjten objektin e ri të Fakultetit të Matematikës dhe Shkencave Natyrore të Universitetit të Prishtinës.
Investimi në këtë objekt kap vlerën e rreth 18 milionë eurove.
Sipas njoftimit, afër 12 milionë euro janë financuar nga Bashkimi Evropian, mbi 5 milionë euro nga Universiteti i Prishtinës, ndërsa 1 milion euro nga Ministria e Arsimit, raporton Klankosova.tv
Objekti i ri ka një sipërfaqe prej rreth 14 mijë metrash katrorë dhe, sipas njoftimit, nga ky projekt përfitojnë rreth 2 mijë e 300 studentë.
“Nga ky projekt i përbashkët në kuadër të marrëveshjes financiare për IPA 2020 ndërmjet Republikës se Kosovës dhe Bashkimit Evropian, përfitojnë rreth 2 mijë e 300 studentë, të cilët tashmë kanë ambiente bashkëkohore, nga inventari deri te pajisjet laboratorike, por edhe hapësira të bollshme përreth objektit”, thuhet në njoftim e ZKM-së.






